Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Kostaq Duka - krijuesi që jeton brenda detajit artistik. Esse –analizë Shkruar nga Raimonda Moisiu

Shko poshtë

Kostaq Duka - krijuesi që jeton brenda detajit artistik. Esse –analizë Shkruar nga Raimonda Moisiu Empty Kostaq Duka - krijuesi që jeton brenda detajit artistik. Esse –analizë Shkruar nga Raimonda Moisiu

Mesazh nga Agim Gashi Sat Dec 18, 2010 9:57 pm

Kostaq Duka - krijuesi që jeton brenda detajit artistik.Esse –analizë

Kostaq Duka - krijuesi që jeton brenda detajit artistik. Esse –analizë Shkruar nga Raimonda Moisiu 41529_1208896826_7270261_n
Shkruar nga Raimonda Moisiu

Kostaq Duka - krijuesi që jeton brenda detajit artistik. Esse –analizë Shkruar nga Raimonda Moisiu Kostaq+Duka
Kostaq Duka

Sot ne zemer te Cikagos USA, flitet shqip permes promovimit te librit "Hoteli i Fantazmave" te shkrimtarit Kostaq Duka.Urime e Suksese!
Gjatë “udhëtimit” të jetës ndodhin ndryshime të rëndësishme dhe nisur nga atmosfera e këtyre ndryshimeve progresi i letërsisë bashkëkohore na ka dhënë temat kryesore në literaturë, mënyrën dhe format e reja të njeriut modern me botën e tij të brendëshme, ndjenjat, motivet sociale , gjuhën letrare, letërsinë e reformuar, humanizmin, miqësinë e respektimin, hapjen e tyre ndaj të gjitha gjinive, krijime të cilat identifikojnë vlerat e vërteta të një krijuesi që jeton brenda detajit artistik. Duke ndjekur nga afër angazhimin letraro-artistik, në gjini të ndryshme të shkrimtarit Kostaq Duka vërejmë se ai ka merita të vecanta duke luajtur një rol të rëndësishëm si poet, prozator dhe publicist. Kjo është një nga arësyet që më bëri mua të hyj në “korrespodencë” me krijimtarinë e tij, për të kërkuar dhe gjetur ndërrthurrjen e rrymave në gjendjen kulturore, psikollogjike, formimin e tij letrar, fenomene këto të botës shpirtërore të binomit njeri-krijues! Pikërisht gjatë këtyre viteve në emigracion autori ka manifestuar krijimtari artistike të larmishme, të vlerësuar, vetdijen estetike , i vet-ndërgjegjshëm në mesazhin e figurave e personazheve të përshkruara e realizuara prej tij , të domosdoshme ndaj njohjes më të thellë të sekreteve të jetës e artit letrar, zbërthimin me mjeshtëri të botës së brendëshme njerëzore, mundësinë për të komunikuar me të nëpërmjet poezisë e prozës, duke na dhënë kështu vepra të spikatura dhe interesante të fjalës së bukur dhe mendimit filozofik. Andaj detyrë parësore për të gjithë krijuesit e mërguar është se; ” janë ata që me fjalën e shkruar, mendimin filozofik , intelektual e qytetar të lartësojnë ndërgjegjen dhe kulturën e kombit , të integrojnë trashëgiminë kulturore në forma e përmbajtje të ndryshme.

Forca narrative dhe imagjinare e Dukës në librin me tregime “Hoteli i Fantazmave”

Më shumë në thelb, prozatori Duka paraqet në këtë vëllim me tregime , dukuri të prekëshme, intime, mendime e kujtime, copëza jete, mbresa, mënyrat e “zakonëshme” se si indivdët janë përfshirë gjatë udhëtimit me jetën e për jetën. Tregimet janë të shkurtëra, -“ thërrime që fillimisht i mbaja në xhepat e mij të kujtesës, por që ja guxova e i nxorra në dritë, t’i ndaj me ju lexues në kafen e mëngjesit, se koha ikën dhe kujtesës i jep më shumë shkëlqim ”-shprehet autori në hyrje të librit.

Shkëlqimi i botimit të tyre është në të njëjtën kohë thellësisht i pjesëshëm dhe universal, në një kohë kur flasim dhe hasim “përplasjen e qytetërimeve dhe kulturave” si vetë “poezia” e udhëtimit jetik e historik të jetës që dominon atë në emigracion, krejtësisht të ndryshme , por mbi të gjitha thellësisht njerëzore. Libri është një sfidë për bindjet e ngulitura, thellësisht origjinale, i zhytur në mendime, brenga e kujtime që ka të ngjarë të dridhen “muret” që ndajnë individët, kulturat dhe popujt.

Libri “Hoteli i fantazmave”shquhet për strukturën narrative dhe imagjinatën letraro-artistike, që duhet të lexohet nga të gjithë, tregim tradicional, modern dhe post-modern, shquhet për ”shëtitjet e këndshme”nga njëri tregim te tjetri, personazhe që morfemojnë njëri- tjetrin, duke i përshkruar dhe rrëfyer me forcën narrative imagjinare, kompleksitetin letrar dhe piroteknikën intelektuale. Megjithatë shumica e tregimeve në libër konsiston në atë cfarë tregimtari Duka sjell ndërmend në lidhje me miqtë e tij; të vjetër e të rinj, për miqësitë në përgjithësi dhe marrëdhëniet mes njerëzve , në vendlindje dhe mërgim. Kjo përcartje gati e pafundëme flet dhe shtjellohet rreth cdo aspekti të mundëshëm të jetës dhe si një “kirurg me bisturi” në dorë “pret” deri në thellësi, në rizbulimin e brengave dhe traumave, trishtimin dhe ulërimën, që gëlon brenda njerëzores, përsonazheve që i fut në tregime me lojën e bukur të humorit, grotesken, anekdotave, marrëzisë, dhimbjes e dashurisë, kotësisë e shpresës, gënjeshtrës e hipokrizisë, frikës dhe guximit, kurajos dhe ndrojtjes, ngopjes e mosngopjes me jetën, absurden, e dëshirën për të, që gjithkush i merr si të vërteta e të pabesa, e kujtesës kundrejt mos harresës, mallin e nostalgjinë, për kohën që iku, është, e për kohën që vjen, me trishtimin dhe gëzimin , merr dhe jep dashuri me besimin në vlerat njerëzore në familje e shoqëri, si cështje universale e koherente të shtresave sociale, që na bëjnë të qeshim e lotojmë në udhëtimin e trishtë e të lumtur të jetës.

Libri ndahet në tre kapitiuj me titujt respektivë nga tregimet që i përbëjnë;

-“Nga ditari në shtëpinë e pleqëve”
-“Hoteli i fantazmave”
-“Unaza prej floriri”-(Skica)

Në tregimin “A lejohet këtu dashuria”, -shkëputur nga kapitulli i parë, -autori Duka si një admirues i moshës së tretë na sjell në vëmendje ripërtëritjen filozofike të jetës nëpërmjet një romance rozë, e ndjeshme e tragjike në tërësi. Dy pleq takohen në shtëpinë e pleqëve dhe papritur besojnë në vetvete se kanë rënë në dashuri. Autori di shumë pak rreth të kaluarës së tyre të ndërsjelltë e të përbashkët, planet, ëndrrat dhe shpresat në të ardhmen. Cektësira të tilla nuk e shqetësojnë aspak autorin, por në vend të tyre Duka fokusohet në botën e brendëshme neurotike shpirtërore ku cdo nocion sado i vogël qoftë dhe vëzhgimi i botës së jashtëme mbartin implikime të qarta filozofike. Ndjenjat pasionante, që nuk njohin moshë, dashuria që nuk ka emër, proceset mendore dhe futja në lojë e humorit e shakasë, e transformojnë mysafirin 85 vjecar të rënë në dashuri tashmë, nga një “hokatar “ e ‘fjalë shumë”, në një të përmbajtur, duke “e shpallur” dhe shijuar hapur dashurinë , varkën ëndërrimtare të saj, ledhatimin e dorës së vogël në kolltukun dysh dhe shikimin përdëllues ndaj njëri tjetrit, shëtitjet mes gjelbërimit e luleve , vëndet ekzotike të pishinës , stoli i intimiteteve, duke na rrëfyer kështu shpirtin modern të botës së tyre të brendëshme njerëzore, ku vetë krijesat janë idetë, ndërsa natyra, ambienti përreth dhe veprimet janë monologjet e botës së tyre të jashtëme. Me ciftin e dashuruar në moshën e tretë , të pjekur fisnikërisht, autori na ka dhënë brendësinë e vërtetë , elegancën e mbretërimit të dashurisë njerëzore, vuajtjen dhe përjetimin melankolik të saj, imitacionet dehëse brenda atyre qënjeve të brishta, apo sëmundja e saj që nuk ia shuajti rrezen përmalluese dhe -tragjikja,- ikjen e saj nga kjo jetë, - mistifikiminn e kësaj dashurie që nuk mund t’i largohej atij nga kujtesa.

“Por ai shihte larg, shumë larg...Cdo ditë e cdo ditë në ato takimet e ngrohta në stolin dysh, apo në shëtitjet medituese ai i thosh asaj:”90 vjetorin tim do ta festojmë në Las-Vegas. Kurse unë tek ndiqja ceremoninë së toku me infermieren Elisabetë kujtova me nënqeshje të hidhur atë ditë kur ai erdhi në sportel e pyeti;”A lejohet në këtë komunitet dashuria?”-shkruan Duka.

Është pikërisht ky monolog që dëshmon forcën rrëfyese të tregimit. Ky “monolog i trishtë” i tij dhe shprehja e lumtur “A lejohet këtu dashuria?”, shëndrrohen në proverbë e profeci për të shpresuar e shpëtuar dëshpërimit njerëzor . Kostaq Duka, nuk ka dhënë thjesht një tregim të dobishëm, por një testament të pakundërshtueshëm të dashurisë dhe tragjedinë e botës njerëzore ,- tragjedi që për më tepër nuk është pa pjesën e saj të lumtur e të trishtë.

Tek tregimi “Hoteli i fantazmave”, nga ku ka marrë edhe titullin kjo “trilogji”, tregimi është episodik. Secili personazh është shtjelluar gjerësisht, ku të gjithë në fund e gjejnë veten të kapur nga misteri, ankthi, izolimi e frika , por edhe të paepur. Më tej tregimi nuk është vetëm një subjekt linear, por një vazhdimësi e ngjarjes, disa momente zgjidhen në cast (largimi i menjëhershëm i djemve gjimnazistë nga dhoma e vajzave), ndërsa të tjerat(vajzat-gjimnaziste ) ndiqen në mënyrë adekuate në zemërimin e tyre “të kapura mat” dhe presin me frikë e tmerr fundin e tyre. Histori të rinjsh plot ëndrra e shpresa, që vuajtën cmendurinë e rregjimit e të propagandës së atij rregjimi. Personazhet e tregimit ndërkohë arrijnë të krijojnë ndjeshmëri me lexuesin. Kërkesa për identitet apo ego është një temë universale dhe e kuptueshme. Autori Duka fut në të njëjtën kohë edhe veten e tij, me karakteret e tjera në mënyrë që lexuesit të kuptojnë edhe veten e tyre. Atë që autori na zbulon në lidhje me gjimnazistët shërben më mirë me kujtimet e tij e të tyre personale, nuk bën dallim dhe realizon mendimet që ndryshojnë nga të njëri- tjetrit, për të provokuar përgjigje të ndryshme, besueshmërinë alternative në një nivel të admirueshëm, c’ka është jo vetëm e rëndësishme por edhe suprizë e këndshme .

“Dhomëza e ngrohtë”, titullohet skica, shkëputur nga kapitulli “Unaza prej floriri”, një kapitull kryekëput me skica. Është një rrëfim sensacional, jo vetëm në ndërtimin e saj dhe shpesh në tonin e tij, njeriun e rrethuar (Pandi “Gjizën”) nga muret sociale dhe metastazat në rritje dhe formë në mendjen dhe mënyrën e të jetuarit, që nuk janë aspak të habitëshme , apo e vërteta ishte gjendja , krizat , premtimi dhe filozofia e jetës. Nëse e kuptojmë apo jo ato dominonin aromën e jetës dhe të menduarit, , -ekzistencilaizmin intensiv, jetën e vështirë, varfërinë, vuajtjet, sakrificat në të ngrohtë e të ftohtë, për të “fenomeni i pusetës”, jeta e mbijetesa, (strukturalizmi dhe dekonstruksioni) në përputhje me metamorfozën e kohës që jetonin, absurdizmin e pastër, por të paktën Pandi ishtë i qetë :

”Qënka ftohtë për dreq -të mos kisha dalë që aty.”

“More Pandi c’bën aty”

“Ku-tha-e sytë i drejtoi nga puseta”.

Vetëm nga ky dialog jemi të sigurtë se këto dy tendenca duken si të ndara por ato janë të lidhura, sepse ishin filozofia e kohës që po jetonin autori dhe personazhi, sepse ishte klithma dhe metafora e saj për tu zgjuar nga nata e gjatë dhe e zymtë e jetës..

Në të gjithë strukturën e tregimeve dhe skicave, personazhet e tij arrijnë të krijojnë ndjeshmëri me lexuesit, identitetin edhe egon, të gjejnë veten e tyre, transformimin, universalen dhe të kuptueshmen, që i japin intensitet shkrimeve dhe pasionit të tij të vërtetë në krijimtarnë letraro-artistike. Vetë shkrimtari Kostaq Duka është shëmbull i forcës dhe këmbëngulës, njohës i thellë i traditës letrare, guxon të prekë tema të ndjeshme e të rëndësishme të jetës sociale e qytetare, mision që ai ia ka dalë të na japë një letërsi të arrirë, të maturuar e të kënaqëshme të fjalës së bukur dhe mendimit filozofik.

Stili poetik i Dukës –ndërrthurrja e bukur e gjetjes poetike veshur me artin e fjalës.
Në vëllimin poetik “Trëndafili që celte në janar”, poezitë janë më shumë se një materilizim i thjeshtë të së njohurës dhe eksplorimit të së panjohurës, dialektikën e objektivitetit dhe subjektivitetit, është pikë takimi ndërmjet lëvizjes e qetësisë, pavarësia dhe përkushtimi për të komunikuar me botën e brendëshme e të jashtëme. Poeti Duka në të shumtën e poezive ka zgjedhur poezinë e shkurtër duke na dhënë realitetin e përjetuar, përvojën fizike dhe materiale të tij në natyrë, me një stil poetik që është në gjendje të kapë thelbin e përpunuar të objekteve fizike. Në dritat e këtij stili poetik është shumica, ku Duka ka vendosur veten e tij, për të shprehur realitetin, përvojën e tij përtej paraqitjes fizike.

“Ai gjithnjë celur, buzagaz,/i bënte vizitorët të thoshin:/Është maj apo janar?!/trëndafili im i shpresës./i gëzimit për jetën,/edhe pse rritur në tokë të sertë!!”

“Trëndafili” në këtë poezi ka kuptim alegorik.Ky lloj alegorizmi vjen nga përkushtimi i poetit për të kapur momentin poetik –thelbin plastik të lules, me qëllim të caktuar si imazh dhe simbol i dashurisë, na jep prologun e gëzimit, buzëqeshjes , shpresës dhe bora –bardhësia e paqes shpirtërore.

“Jemi larg dhe jemi afër,/male s’shohim në Cikago,/e malet e Shqipërisë i kemi mbi shpinë/dhe këngët e burimet,/dhe dashuritë,dhimbjet e shpirtit,/zërat e fqinjëve dhe varret e të ikurve.” Këto janë vargje të shkëputura nga poezia “Jemi larg dhe jemi afër” Në këtë poezi dashuria tregon butësinë e saj, në gjendje të subjekteve, situatave të vështira dhe të ngurta, ndërsa pjesa tjetër është vetëm përkujtimi. Në këtë jetë të brishtë të llojit njerëzor, a ka gjë tjetër që ka një lloj entiteti të përjetësisë përvec përkujtimit??

“Është mall e është brengë,/herë lot e herë shpresë./Hej, mos e shaj” e mos thuaj mos e pafsha kurrë”!-apo te vargjet e fundit të kësaj poezie ;”Mos e shaj!/ajo të solli në jetë,/ajo që në të parë, në të ecur,/në të urryer e dashuruar,/të dha hirin e saj.”Poezia është sjellë në traditën e postmodernizmit duke na sjellë një realitet me përvojë të shëndrruar në një realitet të interpretuar, lumturisë dhe trishtimit, mallit dhe përjetimit. “Jemi larg dhe afër “ e ka titulluar poeti-, si objekt të një rilindje fizike në një botë e kuptim të ri; simbol i dashurisë që rritet për tokën e dhimbjeve të lindjes, plagët e atdheut dhe mesazhi qytetar e filozofik; të mësojnë nga kuptim i ri i jetës. Kjo i jep një ndjenjë të fortë e ritëm poezisë. Kjo është gjetur në mënyrë tipike, jo vetëm për ritëm , por ajo ndihmon subjektin për të mbajtur interesin e lexuesve.

Tek poezia “”Pse e dua?! – poeti Duka ka përdor pyetje retorike, në mënyrë për të adresuar direkt dhe ballafaqimin e publikut (nxënësit)- me cështjen më të rëndësishme - shpirtin atdhetar e patriotik dhe arësyetimin jetik të saj; Dashuria për Shqipërinë -atdheun!

“Sa herë trazohet malli” Në këtë poezi, autori ka përdorur imazhet fizike shprehur artistikisht dhe natyrën përreth për të potretizuar mungesën e ekuilibrit midis dy botëve nga ishte dhe ku mbërriti.

””Nuk di nga c’linja të cuditëshme,/vijnë ca “mallra” harruar,/që s’pyesin për dyer koduar,/e dritare hermetike./herë, herë një imazh orkestre,/dëgjuar diku nëpër gjumë,/në një hotel buzë detit./një copëz rrugicë kalldrëmi,/me shtëpiza gurësh e suva gjysmërrëzuar.”

Përdorimi i metaforës në këto vargje është për të treguar një argument të kundërt, duke përshkruar izolimin fizik dhe gjendjen shpirtërore, që në fakt është kuptimi i stereotipeve që hasim në kontrastin midis dy botëve. Poeti Duka me një stil poetik të admirueshëm e të talentuar na ka dhënë kombinimin e gjuhës në vargjet, strukturën dhe format.

Një nga aspektet që karakterizon poezitë e këtij kapitulli është subjektiviteti. Poeti Duka nuk është vetëm si individ në to, por ai me forcën shprehëse të vargjeve insiston për të shprehur idetë dhe mendimet e tij, në të cilat ka muzikalitet dhe rrëfim, duke derdhur në vargje zërin e gjendjes shpirtërore ,ngrohtësi, pezmatim, melankoli humbjen e njerësve të dashur, largimin nga atdheu, dhimbjen, mallin vuajtjet, vetminë, ëndrrat, me shpresa e pa shpresa, dashuria dhe jeta, sakrificat dhe sfida për të mbijetuar, ndërrthurrjen bukur të mendimit e të veshur me artin e fjalës. Poezia rrëfyese për të është njëlloj ngushëllimi apo katharsisi, është embrionizimi i realitet të botës dhe të jetës së përditëshme. Këto dukuri i vërejmë në poezitë;””Mbrëmjeve në Korcë”, “Mësuesit dhe “bisnesemenët”, “Bëjmë sikur ecim”, “Ëndërr e vrarë”,”Preka dosjen e vjetër me poezi”, “Tufëza me vjersha”, apo me premtimin shpirtëror ” Ju më prisni”-“edhe sikur krahët/të m’i këputë era/edhe sikur këmbët,/kërcinj të m’i bëjë ngrica!!” Dhëmbshuri të papërshkruara e “Boshllëku”-t të tij shpirtëror që nga dashuria për fëmijërinë, njerëzit, qytetin, atdheun , kujtimet, nga zbulimi metafizik e maturimit të gjëndjes shpirtërore , është në fakt zbulimi i metaforës së thellësisë të vuajtjes njerëzore dhe shpresës për jetën.

Poezia “Hapësira e Amerikës”-nga ka marrë edhe nëntitullin kapitulli i dytë i këtij vëllimi është shkruar më stil të ndërlikuar nga ana artistike dhe filozofike. Personifikimi i përshkrimit të hapësirës amerikane është përdorur për të sjellë krahasimin në të njëjtën linjë”mes rrjedhës gjigande të makinave dhe ku është njeriu fuqiplotë e tokës ku?-pyet poeti –duke i sjellë në përfytyrim lexuesit imazhet dhe të përcjellë ndjenjat e tij,-të dyja bashkë në të njëjtën ide. Poezitë e këtij kapitulli janë artistike të fjalës së bukur.Janë poezi të mesazhit humanist të dhëna më fjalë të thjeshta e drejtpërdrejtë, duke ndjerë pulsin artistik e filozofik, vazhdimësinë e ekzistencës të njerëzores dhe kuptimin e saj dhe i jep kuptim të tashmes dhe të ardhmes. Kjo është reflektuar në mënyrën si si ato janë shkruar, gjetjen e detajeve dhe muzës poetike, që mbartin drithërimën, dhimbjen, të prekshmen për nga mesazhi, toni qytetar dhe filozofik që përcjellin, poezi të bukura ku ndjehet sharmi i dashurisë, një paralelizëm me gjendjen shpirtërore që e frymëzojnë poetin Duka të jenë si pjesë e subjekteve dhe gjetjeve poetike. Poezi të tilla “Bëjmë sikur”,”Beti, Beti”, “Brenda saj Gandi”, “Dhe...”,Dy balona dy gjysma jete”, “Jetëgjatët”, “Ora e 100-vjecarëve”, Pronë e pacënuar”, etj, janë poezi të intimitetit e dashurisë njerëzore,të së tashmes e të kaluarës së largët, legjendave e miteve, janë zgjimi i ekzitencës artistike dhe të njerëzishmes filozofike.

Kapitulli i fundit “Humbja e Perandorisë” i këtij vëllimi poetik, përmban poezi dedikuar “Buzëqeshjes”e “Dalldisje”, “Dashuri me një moshë në perëndim”.”Kur lindin fëmijët”, “Përlotja”, “Po rritesh biri im”, “Bardhësia”, “U derdha mes erës”, “Sytë e shpirtit”, etj.,kanë forcë krijuese dhe mendimi për jetën, për të realizuar një botë të re e të paparë, të sintetizuara e të shumëllojshme, jo vetëm si individ por edhe si qënie njerëzore, që së bashku me lexuesin i japin liri, mirësi, dashuri, kuptim universal dhe të përjetshëm –mesazhit njerëzor të dashurisë për jeten.

Poeti, prozatori dhe publicisti Kostaq Duka mbetet padyshim krijuesi që i jep formë letrare –artistike dhe mendim filozfik tradicionales, qytetares, dashurisë, dhimbjes, mallit –kuptimit për jetën!

Postscriptum
Poeti,prozatori dhe publicisti Kostaq Duka ka lindur në qytetin e Korcës. Është diplomuar në Fakultetin e Shkencave Politike Juridike , dega filozofi.Në vitet si student nis krijimtaria e e tij letrare dhe publicistike duke botuar kryesisht në gazetën “Studenti”, “Drita”, “Zëri i Rinisë” dhe “Nëntori”. Pasioni për gazetarinë e bëri që të fillojë punë si gazetar në gazeta lokale e Korcës, “Përpara”, duke mbuluar faqen kulturore dhe letrare. Përshkrimet, reportazhet e skicat kanë qënë gjini të preferuara të kahershme e të përherëshme të tij. Është dalluar për shkrimet publicistike për figura qytetare dhe intelektuale të spikatura të traditës, kulturës, artit dhe historisë të Korcës. Si gazetar është vlerësuar me Cmimin e Tretë në gjininë e skicës. Si prozator është vlerësuar me Cmimin e Parë dhe si poet me cmimin “Gjergj Fishta” në Ditët e Letërsisë Shqipe, Michigan USA. Në emigracion përvec krijimtarisë së tij letraro –artistike, është në përbërjen e një grupi redaktorësh për nxjerrjen e revistës së ilustruar periodike “Rreth nesh” në Cikago.

Raimonda Moisiu
Hartford CT USA
Dhjetor 2010
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi