Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Sylë MUJAJ: vepra “Marsi sjell vlera” I-II, shkruan: PREND BUZHALA

Shko poshtë

Sylë MUJAJ: vepra “Marsi sjell vlera” I-II, shkruan: PREND BUZHALA Empty Sylë MUJAJ: vepra “Marsi sjell vlera” I-II, shkruan: PREND BUZHALA

Mesazh nga Agim Gashi Thu Sep 22, 2011 9:34 pm

MARSI OSE KRYEVLERA E NJË EPOKE

(Sylë Mujaj: “Marsi sjell vlera” I-II, botoi RUGOVA ART, Prishtinë 2011)

Sylë MUJAJ: vepra “Marsi sjell vlera” I-II, shkruan: PREND BUZHALA 274248_1599663696_28219507_n

Prend BUZHALA

Cili është ky mars vlerash? Dhe përse Marsi? Është një mars që nisi një epokë dhe bëri një epokë... Sa e sa kulte qëndrese e luftarake janë ngritur që nga epoka ilire e deri te lufta e fundit çlirimtare në Kosovë. Marsi, kjo perëndi e luftës, shfaqet si SHENJË SHQIPTARE e historisë moderne. Ky mars i vitit 1981 e nisi shembjen e një perandorie të quajtur Jugosllavi. E nisi pa asnjë armë në duar, po vetëm me armën mbi të gjitha armët, atë armën e pamposhtur që është shpirti liridashës i ideve liridashëse dhe të vetëflijimit shqiptar. Shtigje që rrugëtuan deri te kryengritja paqësore e viteve ‘90 e që kulmoi me luftën e popullit shqiptar në krye me UÇK-në.

Si i tillë, ky libër përbëhet nga polifonia e zhanreve dokumentare-publicistike dhe nga polifonia e këndshikimeve të pasura: me lëndë autobiografike, me figura e personalitete të anatemuara shqiptare; janë memoare dhe komente politike, estetike apo kulturore; etnografike kund e kund apo përshkruese të viseve të vendlindjes. Më tutje janë kronika tronditëse mbi periudhën tridekadëshe nën regjimin pushtues sllav dhe në kohën dinamike e të mbarsur me tensione jo të pakta të periudhës së mbasluftës. Përveç rrëfimit të tij dokumentar historik, autori, megjithatë, e gjurmon, e kërkon dhe e dëshmon, edhe harmoninë shqiptare përballë fytyrës së krimit dhe egërsisë së pushtuesve sllavë, të cilët injektuan ideologji përçarëse e çoroditëse. Parametri i këtij gjurmimi gjithnjë janë humanizmi, njeriu, fytyra njerëzore.

1. E vërteta dhe historibërja e Kosovës

Nëpër të gjitha faqet e të dy vëllimeve, autori flet, mediton, shqyrton, debaton, apelon, bashkëbisedon dhe shkruan për bashkim e takim vlerash shqiptare, për ndërkomunikim vlerash, që “vlerave atdhetare mos t’iu vritet koha”; vlerash që mbështeten në ndërgjegjen e bashkëvepruese nacionale. Përgjatë dy librave ngrihet e lartësohet Kulti i Vlerave. Në këtë kuadër do shquar edhe theksimet e personaliteteve të shquara për krijimtarinë figurative të Sylës (Syla kishte krijuar një varg punimesh figurative në burgje...dhe për këtë veprimtari krijuese nën kërbaçin policor, ku studio arti e kishte qelinë... Aty ka rrëfime të prekshme e interesante. Kështu, Zija Çela thekson se “në punimet ‘Lotët e qyqes’ shoh shtatë plagë që është një vlerë morale. Ky libër është album”, kurse Adem Istrefi: “Me ashtin e shpirtit vizatimet e tij përcjellin diçka të madhe me vlera të mëdha e do të mbetet e veçantë me vlerat e veta.” Apo Adriatik Kallulli: “Ky njeri i do vlerat kombëtare dhe po ndihmon pa kursim”. Madje, vetë autori e trajton në një artikull të tërë këtë problematikë, me titullin ”Ç’është vlera kombëtare?”. Vlerat e burgut, vlerat e Luftës, Vlerat Atdhetare, duhet ta kenë mbrojtjen e shtetit, si personale ashtu dhe të objekteve dhe mjeteve apo veprave të burgut, luftës etj, nënvizon autori. Autori e afishon pikëpamjen e tij se “Vlerat kombëtare nuk kanë limit klanor-politik apo regjional, ato po mblidhen me shembullin e rilindëseve tanë në një kauzë të vetme ...” Dhe nuk është e habitshme pse ka shkrime e komente të tëra, dialogë të tërë përkitazi me parimin vetëvendosjes së Kosovës. Autori shquan zërin autentik etnik dhe i jep jehonë identitetit tonë evropian, kontributit çlirimtar të të gjitha lëvizjeve kombëtare dhe atij euroamerikan në çlirimin e Kosovës. Titulli shënjues, kuptimplotë, “Marsi sjell vlera” (I, II) na sjell në dy skena kuptimplote dokumentare kohësh: në atë të viteve 1981-1999 dhe këtë të pasluftës. Në këto dy makroskena na shfaqet AUTORI herë në cilësinë e dëshmitarit e të rrëfimtarit, herë në atë të komentuesit apo të bashkëbiseduesit, herë të përjetuesit të ngjarjeve, dhe, kudo e në secilin rol të tillë të shumëfishuar, saktësohet, flitet, shkruhet, dëshmohet e dokumentohet ngjarja reale, përjetimi real, me protagonistë realë e me persona konkretë. Në këtë polifoni dokumentare parakalojnë studentë demonstrues, punëtorë, të afërt të autorit, familjarë, udhëheqës politikë të katër dekadave të fundit, policë jugosllavë, udbashë, gardianë, artistë, shkrimtarë, gazetarë, deputetë, keqbërës, qelepirxhinj konkretë me emër e mbiemër, figura ndërkombëtarësh, zviceranë, bashkëvuajtës, të burgosur ordinerë. Është biografia e veçantë e autorit, është biografia jonë e përbashkët, ku rrugët personale çojnë te magjistralja e madhe e shtigjeve të përbashkëta kombëtare. Lexuesi do ta vërejë Autorin në cilësinë e Njeriut të Drejtë, të Guximshëm, veprues dhe, sidomos, të Njeriut të Mirë, i cili me guxim prin në demonstrata, përleshet me policë, e gardianë, me politikën shtypëse të ditës. Është ai guximi autorial për t’u përleshur me fantazmat e secilës kohë, me hijet para muzgut. Në hijet e kujtesës, dëshmisë e dokumentit, ai na e sqaron: ja cilat janë ato në dritën e diellit, që ju nuk po i shihni, përpara se të bjerë nata e shtypjes dhe errësirës kriminale; përpara se të ndizen dritat tjera për të ndriçuar skuta rrugësh dhe përpara që njerëzit të ecin rrugës, në kohë e në histori… Të dy vëllimet autori nuk dëshiron t’i ndajë në “kohë” që tashmë kanë kaluar. Assesi! Pse?

Sepse ai konsideron se historia, ajo më e largët dhe kjo më e afërta, ende vazhdojnë, me sirtarët e kujtimeve dhe me ndjenjat e njeriut që i ka mbijetuar të gjitha; sepse këto hije na shfaqen në rolin e mësueses së jetës e të historisë; aty ku përplasen e ndeshen të vërtetat e një kohe; aty ku na shfaqen forcat aktuale histori-krijuese. Aty ku SHENJUESI DHE I SHENJUARI detyrohen që ende ta plotësojnë dhe përplotësojnë njëri-tjetrin (historitë paralele, me arkivat, dokumentet dhe dëshmitë e gjalla). Nuk është, po ashtu, e habitshme, pse Sylë Mujaj do ta thurë shkrimin e tij, ashtu sikundër do të thoshte Robert Penn Warren: “Kuptimi historik dhe kuptimi poetik nuk duhet, më në fund, të qëndrojnë në raporte kontradiktore, sepse, në qoftë se ka aq pak poezi, atëherë mitin do ta ribëjmë, historia është një mit i madh, në të cilin jetojmë, dhe në jetën tonë të përditshme atë vazhdimisht e ribëjmë.” Prandaj, edhe nëse ka përshkrime të tilla të gjalla, nga pak me frymë poetike aty-këtu, kjo thjesht bëhet si spikatje e një drame, si rrugëtim nëpër kalvaret kah shtegtoi ky popull e ky vend: që nga Kosova e nëpër burgjet serbe; që nga Nishi e në ekzil, nëpër vendet e botës; që nga Zvicra e deri në SHBA apo Australi. Në këtë rrugëtim nëpër skenat e burgjeve, nëpër hapësirat e Kosovës apo nëpër ato të botës perëndimore, ai e shquan atë që është vepruese, shenjë e lëvizjes në kuptimin më të mirë të fjalës a pikësynim përtej një mbijetese të pandërgjegjshme; që është preokupim i përbashkët historik, aktualizues e shques.

2. Nën shenjën e Clios, muzës së kujtesës dhe historisë

Autori nuk i duartroket politikës së ditës, por historisë krijuese dhe forcave që bëjnë historinë. Si në sofrën shqiptare të kuvendimit, ai ua jep fjalën të gjithëve, duke zhvilluar dialog me shumë urti e vetëpërmbajtje; pa kompleksitetin autorial për supremaci, pa tendencë për shtrembërim ngjarjesh. Dhe për këtë ky autor do admiruar, do përkulur përpara kësaj kuraje njerëzore, që buron nga shpirti i Njeriut të Drejtë, Njeriut të Sakrificës, tek ligjëron nga katedra e zemrës së vetë historisë. Më në fund, autori me të gjitha fuqitë e shpirtit, përpiqet që Clio, kjo muzë e historisë, të mos infektohet si një lavire rrugësh; ashtu sikundër do të bënin autorë konformistë që “zbukurojnë” a fshehin fakte dhe kundërveprojnë ndaj historibërjes; dhe nën cipën e këtij zbukurimi imagjinativ historik të ngjarjeve, fshihet një virus që vret ngjarjet, vepruesit, dëshmitarët, të vërtetën. Te e fundit, sado që Autori është vetë edhe Protagonist e Subjekt i këtij libri, ai përpiqet me të gjitha forcat që ta pastrojë këtë dëshmi kujtese nga virusi i dyshimeve dhe mosbesimeve, pikërisht aty ku Shkrimi ballafaqohet me Vetveten si Protagonist. Së këndejmi, shkrimi i tillë i Sylës, është një nderim dhe homazh për ndodhitë e sublimuara në kujtesën tonë; një kujtesë personale, me angazhim e mision personal që dëshmon për përpjekjet pothuajse titanike për ta shkruar këtë të vërtetë; ai tashmë e ka hisen e tij në Vetëdijen tonë të përbashkët se ngjarjet dhe njerëzit mbesin në kujtesë vetëm po qe se për ta ekziston Dëshmia e Shkruar. Kur e shkruan dëshminë e Tij, sikur e përfill atë thënien e George Santayana,: "Një vend pa një kujtesë është një vend i çmendur." Autori nuk e pranon Çmendurinë e harresës, që i detyron vrapimet e përfituesve të sotëm, apo profiterëve, si i quan autori; ta shlyejnë me gomë të kaluarën. Të dy librat na shfaqen tash dhe këtu, në një kohë që ndërlidhet SIMBOLIKISHT me Pranverën Studentore, me Pranverën e Madhe të vitit 1981, në 30-vjetorin e saj; dy vëllime si gjurmë të besueshme, të sigurta, qoftë edhe si kujtime të sigurta; sepse shumë nga njerëzit ende janë gjallë, aktorët e tyre janë këtu; kurse ai Vit i Madh i 1981-ës e meriton Librin e Vet… Tashmë për këtë vit, për fat të mirë, është krijuar një bibliotekë e tërë… por ende na ndjek një e keqe tjetër: e vërteta jonë për këtë VIT ende nuk ka depërtuar tek lexuesi ynë; dhe të mos flasim pse ende asgjë nuk është bërë që kjo e vërtetë të depërtojë në botë… E si të depërtojë e vërteta jonë në botë, kur kësaj TË VËRTETE i mbyllet dera tek institucionet që janë vepër e këtyre historibërësve!?

3. Kur jeta e përgatit shkrimin e librave

Autori ka arritur që lëndën e kompozuar brenda dy vëllimesh dhe tetëmbëdhjetë pjesësh, ta mbarështrojë sipas dëshmisë dhe mendimit personal, nga njëra anë, dhe sipas shkrimeve, dialogëve, bashkëbisedimeve, letrave, recensioneve dhe opinioneve të të tjerëve përkitazi me krijimtarinë dhe veprimtarinë e Sylës, nga ana tjetër... Sado që zhanri i DËSHMISË dhe i SHKRIMIT KOMENTUES, në këta tetëmbëdhjetë kapituj nuk i nënshtrohet një baze të gjerë dokumentare, sikundër mund të jenë lënda arkivore, referencat shkencore-dokumentare apo historike, megjithatë të dy vëllimet e rrumbullakësojnë ngrehinën e gjerë e të pasur në mënyrë origjinale. Nëse nuk është e gjerë kjo bazë e dokumentit historik; e shumëllojshme është baza e dëshmisë personale...sepse autori pikësynon ta japë dokumentarisht romanin a autobiografinë e jetës së tij. Jeta shkruan romane, do të thoshte Balzaku. Kurse autori i këtyre dy vëllimeve, Sylë Mujaj, na vjen me përvojën e begatshme jetësore. E pra, të dy vëllimet vijnë mbasi kanë ndodhur ato shpërthime të pandërprera tektonike atdhetare, jetësore, shoqërore historike e politike, që marrin udhë duke u përfshirë në valën e madhe të ngjarjeve nëpër shtigje kohe. Do të thoshim: jeta e ka përgatitur shkrimin e këtyre librave. Kurse gjithë këtë akumulim të kësaj lënde jetësore, vetëm autori dëshmitar do të mund ta çlironte nga gjedha (modeli) e shkapërderdhur për t’i dhënë trajtë. Vetë Sylë Mujaj i takon plejadës së të burgosurve të ndërgjegjes, mbasi kishte rënë ndesh me politikën antikombëtare e antishqiptare të kohës. Të krijuara pa pompën e propagandës zhurmëmadhe politike apo gazetareske, të shkruara ashtu, në heshtjen e vetmisë shkrimore, në dialog me një rreth bashkëbiseduesish që erdhën gjithnjë duke u rritur e shtuar, Sylë Mujaj del para lexuesit me individualitetin e tij të formuar autorial. Autori të vërtetën e shpalon shkallë-shkallë, si një arkeolog që i heq ngadalë shtresat që e mbulojnë thesarin e tij dokumentar, që i heq me durim bashkat e gënjeshtrave, sulmeve, mashtrimeve, shpifjeve, mbi ngjarje, personalitete dhe periudha kohore. Ka, në këto vëllime unike edhe shumë e shumë mall kujtimesh, edhe evokime të ngrohta e humane. E kjo do të thotë se autori dëshiron t’i respektojë e t’i bëjë një homazh shkrimor edhe një realiteti të caktuar. Është një libër që gërsheton përvojën e tij prej disa dekadash me këtë problematikë. Drita dokumentuese e hedhur nëpër minierat e kujtesës e të katakombeve të historisë më të ré; përqendrohet pikërisht në kërkimin e së Vërtetës. Drejtësisë dhe vlerave..

(Shënim: u lexua si kumtese ne cilesine e redaktorit te librit, ne promovimin e librit ne sallen e Muzeut Kombetar ne Tirane, më 26 qershor 2011; u botua te gazeta "Epka e re", gusht, Prishtinë 2011)

Sylë MUJAJ: vepra “Marsi sjell vlera” I-II, shkruan: PREND BUZHALA 302284_2226253228060_1599663696_2233512_1403724709_n

Sylë MUJAJ: vepra “Marsi sjell vlera” I-II, shkruan: PREND BUZHALA 315629_2226257188159_1599663696_2233517_574042099_n
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi