Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Sokol Baca: Dështimi i bujshëm i një monografie: rasti Schmitt

Shko poshtë

Sokol Baca: Dështimi i bujshëm i një monografie: rasti Schmitt Empty Sokol Baca: Dështimi i bujshëm i një monografie: rasti Schmitt

Mesazh nga Agim Gashi Sun Apr 05, 2009 2:11 pm

Sokol Baca: Dështimi i bujshëm i një monografie: rasti Schmitt U1_GjergjKastrioti-Flamuri
Dështimi i bujshëm i një monografie: rasti Schmitt
Nga Sokol Baca*
Para ndonjë muaji në Vjenë u organizua prezantimi i «Skënderbeut» të zviceranit Oliver J. Schmitt. Është e çuditshme se si mund të paraqitet në një vend gjermanishtfolës një vepër që ende s’e ka parë dritën e botimit në gjuhën gjermane, pse nuk kuptohet se rreth çfarë objekti mund të diskutojnë shumica e gjermanishtfolësve të pranishëm, të cilët s’e njohin shqipen e për më tepër atë të Ardian Klosit, që është mjaft e koklavitur dhe ende e pakodifikuar gramatikisht.
Ajo që bëri mjaft përshtypje, sidomos ndër shqiptarët e pranishëm, ishte niveli i lartë i alarmit dhe kontrolli nga ana e policisë i të gjithë pjesmarrësve shqiptarë. Vlen të përmendet se në organizimin e mbledhjes kishte kontribuar jo pak edhe një funksionar i ri i ambasadës sonë në Vjenë, E. Ceka, duke kontribuar njëkohësisht edhe në denigrimin e shqiptarëve – të cilët shiheshin sikur të ishin anëtarë të Hamasit apo të Al Kaedës e jo si qytetarë e studentë që kërkonin të kuptonin diçka më shumë rreth tezave të Schmittit.
Por e gjithë kjo paskësh ndodhur pse Schmitti na paska deklaruar se shqiptarët e kanë kërcënuar për tezat e tija në libër dhe kjo gjë ka detyruar organizatorët, përfshi edhe atë që paguhet nga shteti shqiptar t’u bien sirenave të alarmit.
Po kur vallë ka ngjarë që shqiptarët të kërcënojnë apo dëmtojnë një intelektual duke u nisur prej tezave apo prej teorive të tija, sado të diskutueshme të kenë qenë ato? Se mos është i pari Schmitti që shpall gjëra jologjike dhe pa baza shkencore në një monografi?
E gjithë kjo mise-en-scène kishte për qëllim që t’i paraqiste shqiptarët si njerëz të egjër, që hakmerren për një fjalë, që kërcënojnë për të mbrojtur përrallat e tyre me mbret.
Në atë mbledhje me dyer gati të mbyllura do të kishte qenë më mirë sikur të ishin kontrolluar me anën e logjikës historike tezat e Schmittit sesa shqiptarët, mbasi me rrezik njerëzit janë pohimet e pavërtetuara të këtij autori dhe jo prania e shqiptarëve, shumica e të cilëve (duke përjashtuar ndonjë që përfiton ose shpreson të përfitojë ende bursë studimi prej Schmittit) mbetën me gojë hapur duke dëgjuar profkat e papara që autori shpallte me sigurinë e një orakulli.
E kemi parë sesi atyre profkave u ka bërë jehonë një “kolos” i kritikës shqiptare, ose më mirë të themi dy “kolosë”, Ardian Klosi dhe Fatos Lubonja.
Ndoshta këta të dy ende s’e kuptojnë se për kohën e sotme janë tepër të vonuar, ata si për nga përgatitja si për nga intelekti nuk u përgjigjen kërkesave të shoqërisë shqiptare. Janë reliket e një së kaluare boshe, janë shenjë e dështimit intelektual të Bllokut.
Por le të kthehemi tek Schmitti. Me datën 18 mars gazeta «Neue Zürcher Zeitung» botoi artikullin e Ekkehard Kraft me titull “Wer war Skanderbeg?” – Kush ishte Skënderbeu?
Nuk ka faj lexuesi i thjeshtë nëse emri E. Kraft nuk i thotë asgjë. Por s’kemi ç’të bëjmë, ky është i vetmi që ka mbrojtur Schmittin dhe këtë do të citojmë.
Me sa dimë Kraft është lektor i historisë në një qëndër edukimi në Heidelberg dhe ka botuar 2-3 artikuj në revista shkencore, pasi është specializuar në problemet e kishës ortodokse të Europës juglindore në kohët moderne. Pra, kini parasysh se në “mbrojtje” të tezave të Schmittit nuk ka dalë as një Alain Ducellier dhe as një Peter Bartl por një Kraft, kraft si marka e majonezës së preferuar të fëmijëve gjermanë.
Autori pohon se kulti i Skënderbeut mori «trajta monstruoze» falë politikës së Enver Hoxhës, se Skënderbeu që njohin shqiptarët është prodhim mitologjik, pak a shumë si Ajaksi që njohin grekët apo Mucius Shevola i romakëve.
Krafti nuk ka fuqi të argumentojë asgjë, por thjesht vëren se Kadareja, Berisha dhe Topi sulmuan direkt apo indirekt Schmittin. Kryesori, sipas tij, ishte Kadareja, pasi duke qenë mitizues i figurës së Skënderbeut me romanin e tij «Kështjella» kishte interes për ta goditur veprën.
A ka vallë mundësi që Krafti nuk e kupton se një vepër letrare dhe një vepër historike nuk kanë të njëjtat objektiva, metoda, mjete për të komunikuar me lexuesit, dhe se një vepër letrare nuk mund t’i kundërvihet një monografie shkencore apo diçkaje që mëton që jetë e tillë?
Një përrallëz e Kraftit është idea se gjoja libri po vlerësohet nga lexuesit. Themi këtë pasi kontaktuam disa prej librarive më të frekuentuara kryeqytetëse, ku na thanë se prej dhjetorit e këtej janë shitur vetëm pak kopje. Për t’u shënuar fakti që artikullshkruesi vëren: një ndër mbrojtësit e paktë të Schmittit ndër shqiptarë ishte “politikani islamist Abdi Baleta”. Pastaj ai për t’u dukur më bindës përpara opinionin zviceran Kraft numëron fyerjet që i qenkan bërë ambasadës zvicerane në disa media shqiptare, ku ajo na qënka quajtur “ambasadë horrash”.
Ata që quajnë ambasadën e Konfederatës zvicerane “ambasadë horrash” nuk përfaqsonë veçse vetveten. Ambasada dhe vetë Konfederata janë të nderuara dhe të respektuara prej shqiptarëve dhe nuk ka asnjë provë konkrete për të pohuar të kundërtën.
Por, një gjë mund të vërenim në lidhje me fondet që janë dhënë për përkthimin e këtij libri.
A nuk do të kishte qenë mirë që ajo monografi të kishte pasur një lektor të huaj dhe ai përkthim çalaman të ishte gjykuar nga një njohës i mirë i gjuhës shqipe?
Na çudit lehtësia me të cilën është financuar ky përkthim, vetëm kaq, e kjo çudi nuk prek aspak nderimin për vetë institucionin.
Ajo që na çudit është heshtja e historianëve shqiptarë, jo pse nuk i janë përgjigjur Schmittit, por pse janë kaq të mpirë dhe të mefshtë, pse nuk kemi autoritete shkencore dhe akademike në fushën e historisë, vetëm kjo gjë na trishton.
Monografia e Schmittit shënon një dështim total, ajo që mbetet të shohim tashmë është nëse autori do ta botojë atë edhe në gjuhën gjermane ashtu siç ka ardhur në shqip.
Kërcënimet e shpikura të shqiptarëve janë një lojë e tij, kurse guximin intelektual do ta shohim nëse teksti shqip do të përkojë rresht për rresht me atë gjermanisht.
*Universiteti i Uppsala, Suedi

albanovaonline.com
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi