Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Ali D. Jasiqi:FILLET QË PREMTONIN

Shko poshtë

Ali D. Jasiqi:FILLET QË PREMTONIN Empty Ali D. Jasiqi:FILLET QË PREMTONIN

Mesazh nga Agim Gashi Mon Apr 20, 2009 1:12 am

Shkruan Ali D. Jasiqi

FILLET QË PREMTONIN
Shkruan Ali D. Jasiqi

Interesimi dhe angazhimi i krijuesve që të shkruajnë vepra për fëmijë daton shumë herët. Është ky një interesim dhe angazhim i shkrimtarëve që në veprat e tyre të trajtojnë çështje të ndryshme, të cilat do t’u ndihmonin lexuesve të vegjël që t’i kuptojnë më mirë, më drejtë dukuritë e ndryshme të natyrës dhe të mësohen se si të sillen në rrethin ku jetojnë dhe në shoqëri. Në këtë mënyrë ata do të bëhen udhërrëfyes të denjë për të mirën e njerëzimit, ngase duke u ndihmuar të vegjëlve do të vejnë bazat e shoqërisë së shëndoshë. Kjo nismë, përkatësisht interesim dhe angazhim i krijuesve që të komunikojnë me të vegjlit, në një mënyrë ose tjetër duket si shenjë e filleve të civilizimit. Andaj është fare e natyrshme që edhe shkrimtarët shqiptarë u përpoqën që të kontribuojnë në këtë drejtim. Kështu në vitin e largët Naim Frashëri botoi disa fabula të adaptuara nga La Fonteni, si dhe përmbledhjen e vjersha me titull “Vjersha për mësonjëtoret e para “ ( Bukuresht 1886). Ndërkaq, disa vite më vonë, më konkretisht në vitin 1904, Ndre Mjeda bashkë me Anton Xanonin botuan librin”Këndime për shkolla të para të Shqypnis”. Në realitet Ndre Mjeda ka botuar disa vjersha për fëmijë, që shquhen për tematikën e shumëllojshme dhe interesante, që u ndihmon fëmijëve që të kuptojnë më mirë realitetin e kohës dhe problemet që i pret jeta në vazhdim. Interesimi, por edhe angazhimi i krijueseve për këtë krijimtari vazhdon edhe në vitet e më vonshme. Në këtë mes do përmendur përpjekjen e Musine Kokallarit që të hartoj tregime për fëmijë, të cilat i botoi në vitin 1944. Shkrime për fëmijë kanë botuar edhe emrat e njohur të letërsisë shqipe, siç janë: Sterjo Spasse, Petro Marko, M. S. Gurra, Q. Guranjaku, T. Gjuli, Kolë Jakova e të tjerë. Ndërkaq, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, që konsiderohej si Luftë Nacionalçlirimtare, numri i atyre që merreshim me shkrime letrare për fëmijë vjen gjithnjë duke u shtuar. Në fillim ato botoheshin kryesisht në revista dhe në tekste shkollore. Por në meskohë filluan të botohen edhe si libra të veçantë. Vargut të veprave të botuara për fëmijë do t’ju prijnë ato të Selman Vaqarit “Shpresa e atdheut” (1944), ” Flamuri i grisur” (1945), ”Pesë vëllezërit” (1947), “Vjershat e një pionieri” (1947), “Ceni, Cani e Cimi” (1953), “Guximtarët” (1953) dhe “Zemra të ndezura” (1953), mandej ato të Aleks Çaçit dhe Spiro Çomorës “Një tufë vjershash” (1952) kurse Zihni Sako boton përmbledhjen e poezive me titull “Vjersha për të vegjlit”(1947). Ndërkaq, në trojet shqiptare në ish Jugosllavi botimi i veprave letrare origjinale, qofshin ato për të rritur apo e edhe për fëmijë, fillon më vonë. Libri i parë që u botua në këto troje është përmbledhja e vjershave për fëmijë me titull “Vjersha” me autorë Mehmetali Hoxha dhe Lutfi Rusi, e botuar në Shkup (1952), qytet në të cilin jetonin dhe vepronin dy autorët e përmendur. Ndërkaq, në Prishtinë në vitin 1953 botohen dy përmbledhje poezish për fëmijë. Janë këto përmbledhja e Mark Krasniqit “Përrallat e gjyshit” dhe ajo e Rexhep Hoxhës “Gjethet e reja”. Pas kësaj vazhdon botimi i veprave të autorëve shqiptarë, që shkruanin për fëmijë, duke e pasuruar kështu bibliotekat me realizime të suksesshme.
Në vitin kur dolën përmbledhjet e dy shkrimtarëve atëherë të afirmuar, që u zunë në gojë më lart dy djelmosha të rinj, dy nxënës të gjimnazit të Mitrovicës, më konkretisht, Fahredin Gunga dhe Bedri Hysa i ofrojnë Shtëpisë botuese “Mustafa Bakija” përmbledhjen e përbashkët me titull “Lulet e para”. Bedri Hysa, që atë vit ishte nxënës i klasës se dytë, përkatësisht i klasës se gjashtë të gjimnazit e tjetri , Fahredin Gunga, nxënës i klasës se parë, përkatësisht i klasën se pestë të gjimnazit, anëtarë aktiv të klubit letrar ‘’Migjeni’’, që ishte njeri ndër klubet më aktive dhe më të mira në krahinë. Ndërsa profesor i gjuhës shqipe në atë gjimnaz atëherë ishte Rexhep Hoxha, përmbledhja parë e poezive të të cilit ishte botuar po atë vit. Duket se profesor Hoxha kishte pas ndikim ke nxënësit e tij, që të merreshin me krijimtari letrare. Edhe pse përmbledhja e tyre ishte aprovuar, sipas një shkresë zyrtare dërguar autorëve, ata nuk kishin marrë guxim që të paraqiteshin në redaksi me dorëshkrimin , nga frika se nuk do të pritej mirë nga lexuesit dhe kështu dorëshkrimi mbetet i shkruar në një fletore.
Përmbledhja, do të duhej, të përmbante 50 vjersha, 25 nga secili autor. Dhe pas kësaj, ata nuk ishin marrë aktivisht me hartimin e vjershave për fëmijë edhe pse kishin botuar ndonjë vjershë aty këtu ndonjë shkrim, kryesisht në revistën ‘’Pionieri’’, por iu kishin kushtuar poezisë për të rritur, duke u bërë emra të njohur në letrat shqipe. Hapat e parë, në këtë drejtim, i kishin bërë mu në revistën letrare “Jeta e re” aty ky ishin afirmuar të gjitha penat e letërsisë shqipe që krijohej në trojet e ish Jugosllavisë, pra në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në Luginën e Preshevës. Në këtë revistë Fahredin Gunga do ta botojë poezinë e vet të parë në vitin 1954, viti në të cilin ishte botuar edhe vjersha e parë e tij për fëmijë në revistën letrare për fëmijë ‘’Pionieri’’, dhe po atë vit aty, pra në revistën letrare ‘’Jeta e re’’ e boton vjershën e parë për të rritur edhe Bedri Hysa, i cili dy vite më parë e kishte botuar vjershën e parë për fëmijë në revistën tjetër të njohur, në atë për fëmijë “Pionieri”.
Edhe pse dorëshkrimi në fjalë ka vlera të kufizuara artistike megjithatë është dëshmi e lindjes së dy poetëve që më kohë do të bëhen emra të shquar të letërsisë shqipe. Autorët e dorëshkrimit të përmendur, ishin fare të rinj në moshë (Fahredin Gunga kishte vetëm gjashtëmbëdhjetë vjet, kurse Bedri Hysa ishte një vjet më i vjetër) janë frymëzuar nga realiteti i kohës, por edhe nga e kaluara jo e largët e popullit shqiptar. Gama e frymëzimit të tyre është mjaft e gjerë dhe e gjithanshme, çka dëshmon për një angazhim të tyre që të trajtojnë shumë probleme që e mundonin popullin në ditët e para pas Luftës së Dytë Botërore. Dhe është fare e natyrshme që këta të rinj do të shkruajnë për vuajtjet e popullit shqiptar nën thundrën fashiste dhe torturat që u kishin bërë fashistët djelmoshave, atyre që nuk donin t’i tradhtonin bashkëkombësit e vet. Vlen të theksohet se temat, përkatësisht subjekti lirik për të cilin këndojnë autorët është trajtuar në mënyrë të gjithanshme, çka do të thonë se ata e kanë shikuar atë si diç që duhet ndriçuar në shumë aspekte. Kështu Fahredin Gunga do të shtjellojë tregimin e gjyshit që i rrëfente nipit për vrasjen e djaloshit nga komandanti fashist, sepse nuk kishte pranuar t’i tradhtojë shokët e vet, luftëtarët. Autori na thotë se atij më parë ia kishin vra babanë dhe nënën, për ta lënë jetim. Si i tillë ai do të qëndrojë i pathyer ndaj torturave që i bënin fashistët, të cilët më në fund edhe atë e vrasin. Ndërkaq, djaloshi i Bedri Hysës shpërndan trakte kundër armikut, duke u bërë kështu edhe vetë pjesëmarrës në luftë, e cila do të sjellë lirinë e shumëpritur, së cilës i gëzohen të gjithë. Por lufta nuk fitohet pa sakrifica . Andaj kërkohet që atyre , të cilët e dhanë jetën për lirinë e popullit t’u këndohet në mënyra të ndryshme, qofshin këta heronjë anonim apo edhe emra konkret. siç është rasti me M. Bekteshin, të cilin poeti Gunga e quan ‘’lule n’ kopshtin me erë’’, që lulëzon në mes të therrave, për të sjellë erë të këndshme në jetën tonë. Dhe në saje të sakrificës së tyre të gjallët e gëzojnë lirinë, e duan vendlindjes si vatër e heronjve legjendar. Lirisë i gëzohet edhe bujku, që tani e lëvron arën me plot gëzim e hare. Në liri edhe Ibri nuk rrjedh si dikur. Tani ai ecën në qetësi dhe lumturi.
‘’Rrjedh, por në qetsi
Me kangën ma të mirë
Pa gjak, dallg’ e zi
N’fushën e gjelbërt – të lirisë
Rrjedh, në lumtuni’’
(Vjersha “Ibrit”)

Të dy autorët e dorëshkrimit në fjalë në krijimet e tyre kanë shtruar, përkatësisht kanë kënduar për disa dukuri natyrore, sosh që e rrethonin qytetin në të cilin jetonin në ato vite. Derisa Bedri Hysa do të shkruaj vjershën për Kështjellën e Zveçanit, (titulli i vjershës në fjalë është “Kështjelli i Zveçanit”) e cila qëndronte madhështore dhe nga e cila mund të shihen bukuritë e qytetit dhe gjarpërimi i Ibrit, Fahredin Gunga do të këndojë për minatorët ( autori i quan minjeratorë) e Trepçës, që ishin krenaria e saj, në jetën e re.
Edhepse kishin lindur dhe jetonin në qytet autorët e dorëshkrimit në fjalë i këndonin edhe fshatit. Kështu Fahredin Gunga shkruan vjershën për bujkun, i cili tani do ta lëvrojë arën e vet i lirë duke e harruar të kaluarën e hidhet Bedri Hysa u këndon arave të vendlindjes, të cila na japin frytet e nevojshme për jetë dhe në të njëjtën kohë i shtojnë bukurinë natyrës.
Shkolla dhe mësimi janë tema të cilave u kthehen here pas herë edhe këta dy autorë. Fillimi i vitit shkollor dhe rënia e ziles që paralajmërohen fillimin e orës mësimore është një gëzim i veçantë për shkollarët, të cilët duhet t’i rreken mësimit, për të përparuar:
“Kështu pionierë
vetëm me mësue
keni atëherë
me përparue”

(‘’Gëzim i madh’’)

- do të këndojë Hysa, kurse mësimit dhe nevojës për angazhimin e fëmijëve në këtë drejtim Gunga u ka kushtuar disa vjersha, nga të cilat del e qartë se nga mësimi fëmijët do të kenë dobi të shumëfishta, andaj kërkohet nga ata që të mësojnë sa më shumë. Në të kundërtën do të mbesin të padijshëm, do të ngelin, pra do ta përsërisin klasën. Në këtë problematikë janë shkruar vjershat e Gungës “Vllau dhe motra”, “Dy vllaznit” dhe “Dy shokë”. Vjershën ‘’Vllau dhe motra’’ gunga e përfundon me vargjet:
Që kështu motër e vllâ
Për ditë n’grindje kanë râ
Motra klasën e kaloi
Vllau me dysha e mbaroi- ”.
Poeti na thotë se derisa motra mësonte vazhdimisht vëllai nuk donte të ndiente për mësim, andaj edhe si rezultat i kësaj ai do ta përsëris klasën. Në të vërtetë kjo problematikë , përkatësisht nevojë për mësim sistematik dhe të vazhdueshëm trajtohet edhe në shumë vjersha të tjera, si të njërit ashtu edhe të tjetrit autor, varësisht nga këndi nga i cili është shikuar problemi . Fëmijët se duhet të mësojnë dhe të jenë të pastër i këshillojnë edhe Dardaleci, por edhe Dac Bishtbardhi.
Dukuritë natyrore nuk kanë mbetur jashtë interesit të këtyre dy autorëve. Ata do të shkruajnë vjersha edhe për shiun, edhe për lisin e ri, si simbol i jetës së re, të përtërirë, por edhe për dimrin, borën, mullirin, manushaqen, mjegullën e dukuri të ngjashme.
Është interesant të përmendet se edhe pse të rijnë në moshë autorët në fjalë në disa raste janë treguar mjaft të gjetshem në zgjedhjen e metaforave, gjegjësisht simbolikës se shprehjes. Kështu bie fjala ujku simbolizon përbindëshin e çartur, që ikën njëherë e përgjithmonë, sepse nuk gjen prenë e kërkuar.
Vjershat janë shkruar kryesisht sipas kërkesës së metrikës klasike, çka do të thotë se i është kushtuar kujdes përputhjes së vargjeve e nganjëherë ( por jo edhe gjithmonë) edhe numrit të rrokjeve në vargje. Verehet edhe përpjekja e autorëve të përmendur që të krijojnë vargje të lira, që kanë një ritëm të brendshëm, që i bënë ato të kapshme dhe të lezetshme për lexuesin. Përputhja e rimave në fund të vargjeve është e ndryshme, duke filluar nga tipi ABAB (kaluesen-çojë-punuemen-gëzojë) , apo AABB (agove-shpove- saj- vaj) e gjer ke ato të tipit ABBA ( bjen-i shti- i shkri- vjen) e të tjera. Madje disa vjersha janë shkruar në vargun e thyer dhe kështu e largojnë monotonin, gjë që bën që ato të lexohen njëra pas tjetrës me një interesim të veçantë.
Marrë në tërësi botimi i këtij dorëshkrimi, besojmë, se do të jetë një kontribut modest për njohjen më të mirë të këtyre krijueseve dhe në të njëjtën kohë si dëshmi e nivelit të letërsisë shqipe për fëmijë, në vitet kur janë shkruar vjershat, ato nuk mbesin shumë nën nivelin e vjershave që shkruheshin e botoheshin ato vite, qoftë në trojet ku jetonin shqiptarët të ish- Jugosllavisë apo edhe në Shqipëri.
(Parathënie e përmbledhjes së përbashkët të Fahredin Gungës dhe Bedri Hysës me titull ‘’Lulet e para’’, e shkruar në vitin 1953, që pritet të dali nga shtypi këto ditë)
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi