Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Adem Zplluzha:Udhëndarja-Libër me poezi

Shko poshtë

Adem Zplluzha:Udhëndarja-Libër me poezi Empty Adem Zplluzha:Udhëndarja-Libër me poezi

Mesazh nga Agim Gashi Thu Nov 19, 2009 2:50 am

ADEM ZAPLLUZHA
UDHËNDARJA
POEZI




ADEM ZAPLLUZHA

UDHËNDARJA
POEZI



Boton:
SHTËPIA E KULTURËS
KLUBI LETRAR "FAHRI FAZLIU"
KASTRIOT
2008


Redaktor:

Bedri Neziri



Recensentë:

Dr. Mazllum Baraliu



Lektor:

Ramadan Zaplluzha



Ballina:

Agim Krasniqi



Dizajni I ballinës:

Visar Lutolli

ADEM ZAPLLUZHA

UDHËNDARJA

RECENSION




Synimët dhe përpjekjet letrare të Adem Zaplluzhës, që nga fillët e tij të para, ishin dhe janë një rrugëtim I palodhëshëm dhe I përkushtuar I tij. Drejt një pike kulminante-idealit kombëtar, qendresës, rjedhimisht luftës kundër shtypjës shekullore të pushtuesit e për shlirim të plotë dhe të përherëshëm të vendit nga kthetrat barbare.

Ai me krijimët e tije, për dekada të tëra, do të jap mesazhe të qarta e të çiltërta për lexuesin shqiptar. Do të shestojë vetëdijësimin e tij, veqanërisht të lexuesit kosovar, kuptohët përmes luftës së hapur dhe tejët të rrezikshme, kundër obskurancës dhe injorancës; indiferencës dhe letargjisë; deri të stigmatizimi I hapur I tradhëtisë dhe veprimeve të tjera malicoze të bastadëve dhe pjatëlëpirësve të të gjitha ngjyrave dhë proviniencave (produkteve), të cilat veprime me dashje ose edhe pa të, herë më shumë e herë më pakë, e dëmëtonin e cënonin, dhe mund ta cenonin edhe më shumë kauzën kombëtare; përpjekjet shekullore të shqipëtarëve për liri dhe pavarsi. Përpjekje këto për të cilat punonte e krijonte pa pra edhe vetë poeti ynë.

E gjithë ajo që u tha mësipër e që ka të bëjë me shkrimët e vazhdueshme të poetit, sublimohët mirë e dlirë edhe në përmbledhjën më të re të tij me poezi, të titulluar “Udhëndarja”

Preokupimët e tij, shqetësimët, brengat , dhembjët e vuajtjet shekullore të popullit të tij në njërën anë, por edhe krenaria për bëmat e së kaluarës. Shpresat e së ardhmës dhe galdimi për të arriturat deri në liri dhe pavarësi, janë disa nga motivët kryesore të poetit në këtë vepër.

Vepra është sistematizuar në tri cikle kryesore tematike: “Nuk di kush jam”, Hijët e përbaltura” dhe “Ska ndarje pa lamtumirë”, të cilat ndonse si njësi të veçanta dhe specifike, megjithatë sublimojnë më sukses planimetrimin dhe rrumbullaksimin e plotë të tërësisë së lendës poetike, të mbarshtruar në te

Me gjithë qartësinë e mendimit dhe të veprimit dekador,që në vazhdimsi ishte liria dhe pavarsia e vendit, poeti ynë në këtë përmbledhje, në moment, sikur manifeston prirje dilematike të kësaj natyre:



“ Nuk di më

Kush jam

Nga erdha

Dhe ku shkojë”



Kjo dilemë e poetit si dukët vjen e shfaqët si rezultat I ndodhive të tmershme paraluftës, gjatë saj edhe pas saj. Andaj sikur në ankth pyet keqbërësit pushtues:

“Kush jeni ju”

Që ma vodhët shpendin dykrenor” duke iu përgjegjur mënjëherë të gjithë barbarëve se” kthim nuk ka, për ata që mbollën farën e zezë /9poezia kthim nuk ka/ dhe se pastaj e keqja, që kishte ndodhur mbi popullin tonë, sipas poetit nuk do të harrohët aniqë ajo, pra e keqja, sikur do të ikën, por nuk do të zhdukët: “pa e kthyer kokën kah thembrat do të vazhdojë nëpër labirinthët e kujtesës” (poezia :kthim nuk ka). Pikërisht për këte poeti vendosmërisht ngrite zërin “kthim nuk ka”

Pikërisht për shkak të ndodhive dhe bëmave sa tragjike e barbare, aq edhe trishtuese të keqbërësit okupator, poeti në menyrë rezolutive konkludon si vijon:



“Tregimi nuk mund

Të përfundojë

Në këtë mënyrë”

,ngase përtej kuptimit, humbin fjalët!

Aludimi I disaherëshëm dhe në disa poezi I poetit, përkitazi me” tregimin e papërfunduar” , na shpie në konkluzion, se ai dëshiron që lexuesit të vemendshëm në të vertetë, secilit nga ne, tia tërheqë seriozisht vemndjën, mbase edhe verejtjën, se rreziqët janë potenciale, se historia mund të na përseritët. Prandaj për të mos e lëjuar këtë, pra përseritjën e historisë, apo kthimin e kalvarit, duhet të jemi

Prore vixhilent dhe se hisotoria e jonë tani edhe sot, duhët të shkruhët të mësohet, të përcillet ndër breza dhe të mos harrohët kurrrë.

Pas të gjitha atyre sakrificave, vuajtjeve, perpetive të popullit të tij në Kosovë, poeti përjeton plagë, shpreh dhembje për problemet e pasojat dhe mediton si e si të sherohën ato plagë të trupit të atdheut:

Dhembjen e kam të madhe

Më kafshuan hienat

Si ti shëroj plagët

Në trupin e atdheut

Pastaj autorin e kaplon brenga, ndonjëherë edhe zhgënjimi dhe droja, jo vetëm për të tanishmën, por edhe për të ardhmën:

“Në këtë ag

Po vonohën lindjët

Dita e re

Nuk vie

Metastaza banon në tru”

(Në këtë ag)

Megjithse I brengosur, në këtë vepër, poeti ynë, nuk e ka humbur kurajon entuziazmin dhe shpresën, përkundrazi, nga amullia ekzistuese, ai e artikulon shpresën si një eliksir për të ftuar pranverat me buzëqeshje dhe përfundimisht për ti flakur ëndrrat e shumta e të kqija:

“Në qërpikun e hënës

Më së lehti prekën pranverat

Ti eja me buzëqeshje

Dhe flaki Endrrat e kqija

(Aty ku prekën pranverat)

Përmes krijimeve të tij të angazhuara, autori në këtë përmbledhje na sjell edhe shumë e shume poezi të këndëshme dhe të arrira plot e përplot me figura stikistike, me një stil të thjesht, por të drejtpërdrejt dhe lehtë të kuptueshëm; me plot kolorit, muzikalitet, por në të njejtën kohë Zaplluzha me poezitë e tije ofron edhe porosi të qarta e të sakta, të cilat i adresohën lexuesit kurioz dhe të vemendshëm, por edhe lexuesit të rëndomtë shqiptar.

Me këtë përmbledhje, Zaplluzha edhe njëherë tjetër, na dëshmon se është krijues serioz i angazhuar dhe i përkushtuar maksimalisht në shkrimet e tij. Ai hapëron sigurt dhe vërtete vertikalisht. Ndaj për lexuesit tanë, kjo përmbledhje me poezi, është një sihariq i mirë i dobishëm dhe më së i nevojshëm, për ta lexuar, në mënyrë që ai të njoftohët dhe përjetojë emocionet, movitvet dhe frymzimët, nga më të ndryshet, të poetit tonë.

Motivet dhe preokupimet e tij, janë të ndërlidhura sa më të kaluarën tonë jo të largët, por të begatshme dhe tragjike, aq edhe me të tanishmën dhe të ardhmën e ndritur e shpresëdhënëse.


Prishtin, me 27.07.2008 Dr. Mazllum Baraliu


NUK E DI MË KUSH JAM

TESTAMENTI I KAFSHUAR

Rekuiem për luftëtarin e lirisë



Mos m’i fshi lotët

Me fashat e gjakosura

As gurët mos i vjedh

Nën Urën e Shenjtë

Sepse miku im

Ushtari ynë legjendë

E shkroi testamentin

Me dorën e majtë

Të djathtën

E kishte lenë peng

Në fushat e Llapushnikut

Së cilës i bëne roje

Fehmiu me togun sogjetarë



Pak më larg

Me përplot pezmë

Eshtë duke soditur

Syri i Azem Galices

Deri sa ti

Or mik

Je duke m’i fshirë lotët

Me paçavuret e palara



E nëse vritem nesër

Në ndonje pusi

Kush do të më mbulojë

Me Flamurin Kuq e Zi

Mosni ju lutem

Mos m’i prekni lotët

As me fijen e barit

Sepse miku im

E kafshoi testamentin

S' BEHEN DASMAT PA MISH



Pranverën e kam mike

Që nga femijeria

Mos m’i yshtni qentë

Kur e kafshoj mollën ne degë



Nëpër kallamishte

Ecim këmbëzbathur

Mushkonjat na pickojnë

Lëkurën e njomë



I arnonim tlinat

Me gjethet e lirit

Dhe përqeshnim

Njeri me tjetrin

Kur hanim

Mana të zeza



Lojën e kishim bukë

E përtej bukës

N'saxhakun e ndryshkur

Nuk ndizej zjarri



Babazoti kishte fshehur

Një asht

N'tavanin e vjetër

Sepse pleqtë kishin thënë

Nuk bëhen dasmat

Pa mish biro


KUSH JENI JU

Kush jeni ju

Që ma vodhët në ag

Shpendin dykrenor

Mos harroni se vezët

S’kanë mbetur jetim

Që të ngrihen nën dëborë



Ndaluni një çik

T’ ju them

Nja dy fjalë

Prisni nëse keni kaçik

Mos ikni

Si derrat nëpër mal



Keni marrë çdo gjë

Që kam pasur

Kam mbetur lakuriq

E tani jam një hiç

Që s'më vajton as nëna

More ju mjerana



Më quani kosovar

Mos mendoni

Se unë ha bar

Ore ju të marrë

Jo jo

Nuk bezdisem

Me këtë emër

Që nuk lëshon shtat

E nuk ka as zemër



S'di më si quhem

Dhe kush jam

Më gozhduat

Në mur

Më sakatosët

Më keni lënë pa nur



Nuk di më

A jam njeri

Apo në qervish

Një copë mish

Ose kaçik

Kam mbetur pa emër

Me plagosët në zemër

Thjesht dera mu fik

Unë jam për ju

Një kuptim gjeografik


TREGIMET E SHQEPURA

Loti derdh pjalm

Në ballin e djersitur

Rrëshqasin djajtë

Deri në fundgropë

Zbresin engjujtë

Mallkimet rrokullisen

Nga Alpet Shqiptare



Orët e mira

Këndojnë një baladë

Të vjetër sa toka

Drini kryeneç

Kafshon ashtin e thyer

Të betejës së humbur



Atje përtej ujit

Brymosen fluturimet

E zogjëve krahëthyer

Dallëndyshet

Kthehen në Jug

Të sakatosura nga pleqëria



Femijët më

Nuk e njohin gjakun

As gurin e sofrës

Në kulmin e lodhur

Përpëlitet fundi i përrallës






CERBERI

Nuk doja

Por më kunguan

Duke menduar

Se jam i krishterë



Cerberi më ndjekte

Në çdo cep

Një kokë e mbante

Nën sqetullë

E të tjerat

Kush e di ku

Ndoshta në xhep



Desha të ik

Përtej kësaj bote

Por më percillte

Ligësia e jote



Kështu u stepa

Duke shikuar seri

Se çka do të bejë

Me mua cerberi

E NA IK E IK



M'kujtohen ditët

Kur binte shi

Pikëlat kishin një gjëmë

Të ngjajshme

Me dhembjet e lehonës



Nuk kishim ç'të bënim

Kush mund ta ndalte

Djersën e zezë

Në qepallet e reve



Etjet ishin të përmallshme

Në këmishat e arnuara

I palonim dhimbjet e rrugëve



Si hije të sëmuara

Na ndjeknin fantazmat

E mëkatarëve

E na ik e ik

S’kishim kah t'ia mbanin

Pos në Ferrin e Dantes

Se atje

Në rrethin e tretë

As të ligat s'kanë konak



I përtypnim dhimbjet

Si kafshatën e mykur

Të misërnikes

Dhëmbët shkapërderdhen

Me kallamboqin e kalbur në shi



Si t'ju përgjigjesha

Atyre që më ndjeknin

Kur s'kisha kohë

Për biseda banale

Ikja ime

Ishte shumë më e shpejtë

Se sa ndjekja e qenëve

LOJA E GJETHEVE



Më të rrahurat e shuplakës

Asnjë udhë nuk përfundon



Synojmë kah e panjohura

Kur mendojmë

Se jemi në fund

Na sërish takohemi

Me zhgënjimin tonë



Pa e kthyer kokën

Shikojmë prapa

Hapat thehen

N'kalldrëmet mistike



Gjethet lozin

Lojën e paparë të erës

Qepenat ndryshken

Me kujtimet e lashta



Një vogëlush

Me sy të përlotur

Matet me hijet e natës

Korbat e ndalin fluturimin



Kjo ecje e lodhur

Përdridhet në errësirë

Shikimet mbesin

Kujtime të murosura në gur



VAJTIMI I USHTARIT





Mos korbi i Allanit

Troket natën vonë

Pse janë të mbyllura

Të gjitha portat

Kaq herët

Në tokën tonë



Vjen një zog

Me disa lara

Kalon pullazin fluturim

Lëviz pakëz atje përpara

Do të gjesh

Kurmin tim



Mos e ngacmo

Rrashtën e thyer

Në këtë ditë

Terr-skëterrë

Delet më kurrë

S'kullosin

As ujë nuk pinë

Në sytë e Malit

Se një nënë

E vetëmuar

Vjen e kërkon

Hijen e djalit

Ajo zemër e trazuar

S'bënë më gjum

Në keto gryka

Eh moj loke

E hidhëruar

Pse në këto lisa



Ngul aq shumë pyka

Ofshama e saj

E çan malin

Peshë i çon

Lisat e gjatë

Zbret një dhembje

Vajton ushtarin

Në pranverë

Në dimër

E në shtrëngatë





GOSTIA HYJIT





Kur në qepalla

Varen merimangat

Yjet zbresin

Deri në fund të tokës



Ne i lakmojmë

Hijet e diellit

Zogjtë vertikalisht fluturojnë

Kah qielli i ndryshkur



Hyji në retë e bardha

U bënë gosti erërave

Në tokë mërrolen njerëzit

Pse ju shemben qerdhet



Vetëtimat ulen në luadh

Për t’i shuar etjet

Në shuplakat e ditës



Koha diku përfundon

Agu i sodit yjet në pullaz

Zogjtë zbresin

Në fund të fshatit

Për t’i shuar zjarret

E fluturimeve të kota

GJAKU I PËRBUZUR





Nuk di më

Kush jam

Nga erdha

Dhe ku shkoj





Djallëzisht tinzakët

Ma kafshuan kujtesën

Në këtë zallahi

Më lanë pa gojë



Do të provoj në mal

Me gjethe të bisedoj

Kjo melodi pa fjalë

Në mua s'do të rojë



Në varre dheu

Po qohet peshë

E keqja me të mirën

Donë për t’u ndesh



Në këtë fishkëllimë

Të sëmurë

Lëngon një jehonë

Do të mallkojë dikush

Gjakun e përbuzur

Në tokën tonë


ALI PASHAI

Pa i rënë hija

Në basamak

Qeshte duke pirë

Kafenë e parë farmak



Ishte e trishtueshme

Ditëzeza në Janinë

Kur Kali i Trojës

E shkeli shqiptarinë


JANINA

Kush troket kaq vonë

Në portat e Janinës

Në errësirë

Humbin rrugët



Hasmëria

Me një xhelozi të sëmurë

I ruan

Kujtimet e hidhura



Në def

Përdridhen çamparet

Defatorja

Në çerpikun e natës

Ua luan syrin gjaurëve

Që presin si dhelpërat

Ta sulmojne në pabesi

Janinën plakë



EDHE UJI

Nëse ia do vetes

Të mirën

Mos u përzi

Në këtë pisllëk



Lëre kanalizimin

E trurit

Le të rrjedhë

Rrugës së vet

Edhe pa ndihmën tënde

Shirat e njohin

Rrugën e baltës



Këtu uji kthehet

Në burimin e lashtë

Sepse lumenjtë

Kurrë nuk flejnë



Merre vetën

Me të mirë

Po deshe të mësosh

Këngën e merimangës



Ti nuk di

Se ku e fsheh gjarpëri helmin

Kur i thehen dhëmbët

Dhe kah ecën dielli

Kur në muajin e mjaltit

Dhunohet qielli



Gërmo themelët e kullës

Andaj gërmo themelët e kullës

Në daç për të gjetur aty

Rrashtën e thyer

Të gjyshit tënd

Dhe pinjollëve të tij


AFSH LIRIE

Një nënë te dera

Pret e prêt

Zotin e shtëpisë

Qe njëmijë vjet



Aty ku rritet

Ftoni e fiku

Do ngjallet një ditë

Hasan Remniku



Do matët me ujq

Lak më lak

Se këtu i thonë

Bre Karadak



Kur nga legjenda

Zgjohet arusha

Në këmbët e veta

Do ngritet Tanusha



NË FUND TË TREGIMIT





Atje pranë shkëmbit

Flejnë orët e mira

Mosni ju lutem

Mos ua trazoni

Gjumin zanave

Se hijet qohen peshë



Mosni

Atje flejnë

Nuset e maleve

Dhe presin me padurim

Dhëndërin e Karadakut



Gishtin në kokë

E mendoni esull

Mezhdën tonë

I huaji nuk e ndanë



Atje pas malit

Mes dy lisave

E kam vëllanë



Mosni ju lutem

Mos ua prishni

Ëndërrën maleve

Jemi në fund të tregimit

NATA KËTU



Nuk kam tokë

Për të shitur

Or mik

Sa shumë e donte Tanushën

Djali kreshnik



N'qerpikun e malit

Shpata e Mujit

Ia preu kokën

Bajlozit të zi

Për atdhe e liri



Korbat e stepëve

Nuk do urojnë

Në këto troje

Dashuria e Halilit dhe Mujës

Këtu prore bënë roje



Kush guxon

Të thirr në bejleg

Kanunin e Lekes

Dyluftimi në këto shkrepa

Vazhdon me shekuj



Rrejshëm flen

Ujku me një sy

Nata këtu

Kurrë nuk plaket

As afshi për liri

NË TRUPIN E ATDHEUT



Kur lodhesh

Prej fjalëve të kota

Mbyte gjarpërin në kokë

Se as helmi më

Nuk i hynë në përdorim



Thanë se jam bukë

E unë

Skamjen e kam mik

Si mund t’ua shtroj

Sofrën dasmorëve

Kur ujqit

Presin te porta



Jam lumi

Që buron nga dhembja

Në kujtesën e kujt

Ta mbjelli flamurin



Si mund të ngopem

Me kungullak të thyer

Kur kjo gjëmë

Ndryshket nga etja



Dhembjen e kam të madhe

Më kafshuan hijenat

Si t’i shëroj plagët

Në trupin e atdheut



Vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Adem Zplluzha:Udhëndarja-Libër me poezi Empty Re: Adem Zplluzha:Udhëndarja-Libër me poezi

Mesazh nga Agim Gashi Thu Nov 19, 2009 2:58 am

NË KËTË FILLIM





Pa e vrarë mendjen

Ecja qorsokaqeve

Rrugëdalje e pafund

Në këtë fillim



Kah nuk më drejtuan

Unë sërish ecja

Si kali i verbër

Me qëllim

Që t’i gjej

Muratorët e Rozafës



Ecja e ecja

Kudo qorsokak

Kudo pengesa

Të shkruara me gjak

KTHIM NUK KA





Ai e tejkalojë

Vrapin e cjapit

Këputi degën

E mollës së Adamit



Në kopshtin eksperimental

Mbolli farrën e zezë

Që e kishte gjetur

Te varri i faraonit



Pranë rrugës

Hasi burimin

E oazës së humbur

Me fluskat e ujit

E gjuante Lubinë

Aty ngat

Në hyrje të shpellës

Trokiti në ndërgjegjen e kohës

I lexoi disa psalme

Pa ditur

Se cilit mot i takonin


Pastaj

Pa e kthyer kokën

Kah thembrat

Vazhdoi nëpër labirinthin

E kujtesës

Dhe humbi

Mes hielogrifeve

Të gërvishtura në shkëmb



Me hapa somnambuli

I kalonte urat

Pa u ndalur te harqet

E lakuara

Shikonte e shikonte

Vigun e vjetër

Përpara s'mund të lëvizte

Mbrapa kthim nuk kishte



LEBESËT





Atë çast kur

Bënte të ftohtë

E frynte shtrëngata

Në pikë të ditës

Të përpiu nata



Hijenat të ndjekin

Në çdo hap

Ikje udhës tënde

Kaloje me vrap



Ishe plot jetë

Dritë e vërtetë

Syrin shkëmb

Shikimin shpatë

Por të zhdukën

Të pabesët

Njerëz ugurzi

Pisat

Lebesët

Me lukuni



PËRTEJ KUPTIMIT



Çuditërisht

Por sot e kuptove

Frikën e trëndafilave

Nga balsamimi



Në lulen e vetëmuar

E vërejta tatuazhin

E një kinezi autodidakt

Ku shkruante:

Nuk mund të ngjyrosen

Lulet në rrënjë

Sepse këngët vdesin

Pa dalur nga gryka



Përtej kuptimit

Humbin fjalët

Rreshtat mbesin cullak

Tregimi nuk mund

Të përfundojë

Në këtë mënyrë



Ata që janë të burgosur

E urrejnë syrgjynosjen

Jo rastësisht

Im gjysh këndonte

Këngët e vjetra

Dhe në telat e sharkisë

Takohej me kujtesën







ALLGAT E KUQE





Kur mbyllen dyert

Nëpër lule

Nuk mbetet pikë nektari



Bletët grithin

Lëvoren e ahut

Oshtima depërton

Përtej tokës

Kur zbresin në Had

Besimtarët e fundit



Në rrugën e mëndafshit

Përvajshëm

Ligjëron hutini





Nga nëntoka

Depërton zëri

I trokut të kuajve



Njerëzit fillojnë

Të ecin horizontalisht

Allgat e kuqe

Barsohen me lumin





NË KËTË AG



Në ag

Ndoshta zbret dita e re

Stinët janë vonuar sivjet



Përse miku im

Pret i përgjumur

Djersën e vesës

Ku lahet pluhuri

I mesnatës



Dikush në këngët e veta

Hulumton prejardhjen

E buzëqeshjes

Deri sa ky mëngjes

I përjeton

Shtërzimet e para



Sëmundja depërton

Si uji

Në fluskat e sapunit



Në këtë ag

Po vonohen lindjet

Dita e re

Nuk vie

Metastaza banon në tru



RRAPI KRYENEÇ



Ishte në anën

E orëve të mira

Prej muzave i mësonte

Fshehtësitë e burimeve

Ushqehej me qumështin

E dhive të egra

Dhe këndonte

Me zanat e malit

Këngët e vjetra

Që ishin harruar

Në tokën tonë



Kur i takonte hasjanët

Kërkonte prej tyre

Bukën e gatuar me dashuri

Ai kurrë

Nuk e kafshoi

Pogaçen e urrejtjes

Gatuar me gjak



Ishte kryelartë

I cili e përbuzte

Mendjemadhësinë

Ende i ka

Dhëmbët qumështor

Miku im i lashtë

Rrapi kryeneç

NATA E PLAGOSUR

Më kafshuan në qafë

Si lakuriqët e natës

Kali i trembur

I shkundi jelet në luadh



Këngët ishin të moçme

E kaherë të përsëritura

Si elegjite e maleve

Në këto troje



E nënat

Ato zana bujare

I lidhin plagët

Me fashat e vjetra

Dhe i djegin

Shamiat e bardha

Në lotin e mbrëmjeve



Dikur vonë

Kur zbehej dielli

Burrat dilnin

Te kroi i zanave

Per t’i mbush poqet

Me ujin shërues

Të maleve tona



Kafshimet përsëriten

E përsëriten

Në trupin e natës së plagosur

Bardhësia asesi të agoi

UDHËNDARJA





Çuditërisht

Po në atë udhëndarje

Nuk e pata ngrohtësinë e lotëve

Pikonin ca copëza krongjilli

Mendoja

Se më është ngrirë truri

Më besoni

Shikimet ofshanin

Nga dhembja e udhëndarjes

Qanin miqtë

Me kujtohen lotët e njërit

Që e mbante veten

Për gazetar

Por

Si mund të qante

Gazetari

Pa shkruar asnjë fjalë

Për baltën e Bllacës



Tre pashë afër kufirit

Varrosën një kërthi

Heuuu Zoti ju vraftë

More xhelat të zi



Pleqtë mjekërbardhë

I grithnin fytyrat



Nuk di më

Për kë janë këto lotë

Për foshnjën

Apo për vitet

Që po vdesin në udhëndarje



T'I DUA KËTO MALE



Mos i ngulni thonjtë

Në mezhdën tonë

Fushat mbesin djerrë

Pas kafshimit të pabesë



Syri i dhelprës

Kurrë nuk loton

Ajo në bishtin e saj

E ruan helmin



Tregimet nuk ndalen këtu

Se dhembja është

Aq e madhe

Sa që nuk mund ta krahasoj

As me gjëmën e ofshamës



Me ardhjen e të huajve

I mësova dy gjëra

T'i dua këto male

Dhe t’i urrej bishat e tyre







THANË SE ISHTE GJARPËR





Hante kaftjall me djallin

Dhe deri në mbrëmje

E përtypte ditën



Në tru kishte vizatuar

Tatuazhin e dragoit

Dhe e ëndërronte flakën

Në sytë e kalimtarëve



Nuk bënte asgjë

S'lëvizte dot nga vendi

Pa ia mbyllur syrin

Mentori i perdalë



Thanë se ishte gjarpër

Helmin e ruante nën gjuhë

Me shikim vrasës

Ta përkujton Brutin



Ndoshta erdhi nga lashtësia

Për ta ngrënë darkën e fundit

Tri herë atë ditë gënjeu

Të nesërmen

Krishti ia fali mëkatet







HIJET E PËRBALTURA







ÇKA NUK PËRFOLËN





Folën për të

Dhe e përfolën

Për të ligë



Anijen e ndërtoi

Në një pikë

Ku s’kishte

Rregulla drejtëshkrimore



Dehej me kutërbimin e zorrëve

I përkiste fisit të Kabilit



Në tehun e shpatës

Thithte lëngun e trishtimit

Në dehje e sipër

Në sytë e sojit të vet

U përkulej zotërave



Kur i kalonte çmendia

Mes gurëve të djegur

Përzihej me pluhurin e kufomave



Çka nuk përfolën

Për hijen e përbaltur

Të ndërgjegjes së sëmurë





DESHA TË RROJ



Desha të rroj

Në vetmi

Si hija

Në tehun e natës

Por një fantazmë

Bredh si fëmijë

Ik e fshihet

Në grykën e kënatës



I kërkova eshtrat

Në betejat e kalbura

Pranverat u larguan

Në hapësirë me strallin

Pjalmi i lotëve

Në sytë e shkruara

Ikën me baladën

Duke kërkuar djalin



Mbeta kështu

Si rrapi në stuhi

Duke i lëpirë eshtrat

Në buzët e hënës

Sa e dhimbshme qenka

Kjo vetmi

Kur në fund të rrugës

Dëgjon zërin e nënës



Tregimi këtu

As që përfundon

Ka mbetur edhe pak

Deri në amshim

Ku në drurin e jetës

Një zog ligjëron

Për mëkatarin e dehur

Që kërkon shpëtim



PËR KU TANI



Sa shumë

Të kanë rrahur

Stuhitë or mik

Sa herë erërat

Tek ti kanë zbritur

Për ku tani

Ti do më ik

Me këto vuajtje

Dhe halle zhuritur



Ishe lis

Rrap

Shkëmb në rrugëtim

Sa mirë i lidhe

Motet në rebelim



Ja fundi i tunelit

E kape dritën ti

Dhe e gjete veten

Në këtë shpëtim





E NATA GJËMONTE





Edhe sa herë

Në udhën tënde

Do ta takosh

Ferrin e Dante Aligerit



Shtype gjarpërin

Në kokë

Që ikën

Me ndërgjegjen e vrarë



Mati mirë

Hapat e kalorësit

Pastaj

Lëshoje shikimin mbrapa

Për t’i parë

E vrarë

Pëllumbat e argjiltë



Mos i mat

Fluturimet e zogjve



Me kutin tënd

Syri gjithmonë mashtron



Sivjet

Buka nuk u rritë

Në fijen e kashtës

As pemët

Nuk e lozën lojën

Mes dy zjarreve



Pranvera disi

Përtonte me ardh

Kurse vjeshta

Bredhte rrugëve

Si kali pa kapistër

E nata gjëmonte

Në kupollën e kishës



NË SYTË E BALENËS





Ne ecim

Me trokun e kalit

Pa e kthyer kokën prapa

I dëgjojmë hingëllimat

Në mjaullimën e macës



Kërkojmë klithjen tonë të parë

Kur buzëlumit

I mbjellim kujtimet



Ëndërrave ua lëshojmë vrapin

Dhe ndalemi si të nemitur

Pranë njerëzve

Që fluturojnë

Luadheve Aligeriane

Duke provokuar

Suprinën e lotit

Në sytë e balenës



E ADHUROI GOTEN





Ishte boem

I cili në pikën e vesës

E tejkalojë vetëveten



Në thellësirën e detit

Ndërtoi anijen e Gilgameshit

Poet

E kaluar poetit

Poezit më të bukura

I shkruajti

Në letrat e toaletit



E deshti gotën

Më shumë se botën

Nuk di

Se sa herë

E provokoi vdekjen



Ai burrë

Me zemër djaloshi

Ajo gurrë e pashterrshme

E frymëzimit homerjan

Ajo rrënjë Ilirike

E rrënjës së palakuar

Boemi i pavdekshëm

Poeti gashjan



ATY KU PREKEN PRANVERAT





Në qerpikun e hënës

Më së lehti

Preken pranverat

Ti eja me buzëqeshje

Dhe flaki

Ëndërrat e këqija



Kërko në kujtesën e natës

Tërfilin me katër gjethe

Pastaj

Ik në vendlindje

Përjeto rritjen e luleve

Në pikturat e vjetra

Dhe provo njëherë

T'ua fshish pluhurin

E ikonave

Në murin e harresës



Përziu me lashtësin

E përrallave

Pa ja trokitur

Portën e Ulisit

Sepse qeni i tij besnik

Ende bënë rojë

Në basamakun e kafshuar

EDHE ZOTAT E OLIMPIT



Ata më syrgjynosën

Përtrej mureve të vetëdijes

Pse qeshja me vetëveten

Kur hungëriste

Qeni i plagosur



Asgjë nuk kisha me veti

Pos një kove të vjetër

Dhe ca letra toaleti



Kur më ngacmonte malli

Për erën e nikotinës

I thithja gishtat

Si foshnja e dehidruar

Gjirin e nënës



Pastaj këndoja

Këngët e vendlindjes

Për të mos harruar

Gjuhën e Hyjit



Nga dashuria

Një mall

Ndizej në mua

E ma ngrohte zemrën

Me kujtime

Sa që xhelozonin

Edhe zotat e Olimpit

NË FUND TË DITËS





Hyjneshë moj

Ç'bënë atje

Tek therrat e maleve tona

Me cilën mashtrapë

I shërben zotrat



Vera e gjakut tim

Ndryshket nëpër damarë

Hej more hej

Janë çmendur perenditë

N'atë dehje mistike



Korbat krokasin në toalet

Ik prej ënderrave

Shko atje

Ku këndohen

Psalmet e Sollomonit



Urtaku i çmendur

Zbret deri te lumi

Për tu takuar

Me puthjen e kobrës



Në fund të javës

Fillon tregimi i ri

Për verën e kuqe

Buzët thahen

Kur etjet zgjohen

Në vjeshtën e vonë



Edhe pak flok kanë mbetur

Në kokën time tullace

Edhe pak

Dhe përfundon tregimi

Në fund të kësaj dite





ATO GRAHMA





Në gjum i dëgjon

Grahmat e nëntokës

Shoqërohet me dhevështruesin

Dhe nga fija e barit

Kupton vërshimën e deteve



Kotet në pikë të diellit

Pa pirë ujë me javë

Ballafaqohet me etjen



Në sytë e zvarranikëve

Përjeton parahistorinë

Dhe me gishtin tregues

I pastron zdralat



Kishte një jetë të koklavitur

Vetëakuzohej për krim

Makthit i bënte gosti

Si mikut të vjetër

Kurse armiqët

Nuk i njihte më

Vetëkënaqej

Me një gjendje të tillë

Duke i përgjuar

Ato grahma të shkapërderdhura



TI KURRË MOS KALO





Nëse sytë

Shuajnë etjen

Ti kurrë mos kalo

Nën urën e stërkeçur

Sepse aty flejnë

Mallkimet e ujit



Kuptimet humbin

Nën thundërat e kalit

Kur gratë këmbëzbathura

Numrojnë dështimet e ditës



Arsyeja e frymëmarrjes

Nuk ka kuptim

Në këtë qast

Vdesin legjendat



Ditët largohen

Me portretin

E piktorit anonim

E ti kinse

Nuk e kupton

Vrapin e erës

Dhe i akuzon kostarët

Që prehen me dele

Nën mriz



Po të them pra

Nëse sytë e shuajnë etjen

E shikimeve të kotura

Ti kurrë mos kalo

Nën urën e thyer



KAFSHIMI I NJERIUT



Ti që nuk i beson kalit

Nuk mund t’i besosh

As vetëvetes



Mbytu në gotën

Që pi ujë

Nuk është për ty

Me rëndësi

Hapi i gomarit

Ose rrëshqitja e kërmillit

N'sininë e palarë



Ty të mungon

Forca e brendshme

Në shpirtin tënd

Janë ngatrruar erërat

Perse pi ujë

Me susakun e toaletit

Dhe qesh si i marrë

Me urtakun

I cili shëron

Qenin e sëmurë

Nga kafshimi i njeriut



HIJET



Kur hijet rrëshqasin zik-zak

N'horizont lakohet kurrizi

Kah shija e stërhidhur

E jetës farmak





vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Adem Zplluzha:Udhëndarja-Libër me poezi Empty Re: Adem Zplluzha:Udhëndarja-Libër me poezi

Mesazh nga Agim Gashi Thu Nov 19, 2009 3:03 am

ADUTI



Mos e sfido fatin

Ti që s'di me u tutë

Nëse nën mëngë

Nuk ke një adut









































QË ZVARRITEN



Do të ec

Kah përpjeta

Për të arritur

Deri te maja

Pështirrosem

Nga sahanlëpirësit

Që zvarriten

Sikur skraja

















NARKOMANI





E vështirë kjo jetë

Çdo gjë është shëmb

Në grykën e tymosur

Frymëmarrja dhemb



I errët agu

Dita tis

Në këtë moqalishte

S’ka më kanabis



Bredh duke u luhatur

Ec si harbut

Me shpirt të leckosur

Në këtë jetë M..



Zvarritet nën urë

I ofshan gjani për gjum

Shtrihet si postiqe n 'çivur

Në jetën llum









KU ZOGJTË PËRFUNDOJNË





Përse na janë zbardhur

Flokët or mik

Athua dimri

Kaq heret ka zbritur

Ose pranvera

Prej nesh do me ikur



Ç'është kjo mugëtirë

Në pikë të ditës

Fijet e flokëve

Varen në penxhere

Mos është fundi

I një fillimi

Ku pa mbëri

Nuk kemi qare



Ec or mik

Sa ke kaçik

Udhët kurrë

Nuk mbarojnë

Ec e mos u ndalë

Deri në atë pikë

Shko ku zogjtë përfundojnë







NË MUA ÇDO DITË



Ja këtu në gjoks

Kam një lëmsh

Dua të klith

Të shembet shkëmbi

E të thehet guri



Në mua çdo ditë

Diçka po vdes

S'dua të blej më



Gogla në thes

Syri i ngrire

Nuk shikon dot

Qëndron i mpirë

S'derdh as lot



Dua të dal

Në mal këto ditë

Të takoj atje

Plakun eremit



Shiko në mua

Si po shembet kjo botë

Do të këputet në rrënjë

Lisi sot



PUNË E MADHE





Kam mbërritur

Në fund të udhës

Kurma e ditës

Përpëlitet në hapesirë

Për çudi dielli

Nuk shëndrrit si dikur

Pas meje

Është mbytur qielli



Rrugët ecin

S'ndalen kurrë

Një lëkurë

Varet në mur



Në këtë zallahi

Përzihet një erë

S'është më mahi

E gjithë kjo poterë



Sërish jam në fillim

Vrapoj pas fluturave

Si dikur në luadhe

Kjo rrugë s'paska mbarim

Mund të them

Edhe kështu

Punë e madhe



















KAFSHIMI





Ti nuk je

Hyzmeçar i djallit

Nuset e dogjën pajën

E varur në litare

Dasmorët i kthyen kokat

Kah Perëndimi



Në lëmshin e kësaj rruge

Po soset udha e besës

Ku do ta kalojë natën

Dhëndëri pa nafakë



Bullat i shprishin

Flokët e mesnatës

Kudo erë temjani

Në sytë e Shën Pjetrit

Rreshira kafshon

Drurin e cedrës

FUNDI DHE FILLIMI



Unë tani

S'jetoj më

Ec rrugëve

Me dhembje

Pa gëzim

Të tjerët mendojnë

Sa i fort ky njeri

Po ku e dinë ata

Hallin tim



Bredh udhëve

Si një jetim

Mik e kam

Vallë vetminë



Unë tani

Si për çudi

Kacafytem me botën

Hedh baltë

Në çdo mur

Se këtu në krahëror

Kam një gur

Si mund të thotë

Dikush jetë

Këtij trishtimi

Ose mbetet të shohim

Ku është fundi

Dhe fillimi





TE RRAPI





Mbylli sytë

Në daç të flesh rahat

Langojntë nuk lehin

Pas karavanit të lodhur





Ti sërish ëndërron

Lumin e humbur

Mes gishtrinjëve



Gjarpinjtë nuk i zdeshin

Këmishat e arnuara

Zvariten dhëndërisht

Deri te nusja e premtuar



Kalorësit kokëfortë

Kthejnë kokën prapa

Për t’i dalluar fërkemat

E pelave të harlisura





Hijenat bezdisin

Gjumin e bletëve

Kur mjalti në hojë

Përtyp lulen e këputur





















































Pranvera kësaj radhe

Pret te rrapi i vjetër

Lulëzimin e hershëm

Të pemëve vjeshtuke










































III
S'KA NDARJE PA LAMTUMIRË






































































































TI MOJ LUBI





Më fal

Por ti po rrenë

Pse i zgjat duart

Kah unë

Mos deshe

Për t’i vrare zogjtë në gjumë



Me gënjeshtra

S'jetohet dot

Më mashtrove dje

Por pse edhe sot



I përbalte kujtimet

Mbyte njeriun në mua

Çka të them për ty

Më lërë të qetë

O Zot

Të pi ujë në krua



U mishrove me hijet

Jetove si mos më zi

Fantazmë e mallkuar

Ti moj lubi

NË FUND TË DITËS



Mos i hap krahët

Se kurrë më

Nuk mund të takohesh

Për herë të dytë

Me fluturimin e zogut



Mos e ngacmo hijen

Lere rahat

Të të ndjek

Sa ka dëshirë



Dielli nuk perëndon

Nëse humbet udha

Në pikë të ditës



Lumenjtë s'rrjedhin

Sipas qejfit tonë

Ato në udhëtim

E gjejnë burimin e jetës

Në kahen e kundërt

Të Polit Verior



Leri gjërat rahat

Le të udhëtojnë

Sipas dëshirës

Sepse çdo tregim

Fillon dhe mbaron

Në fund të ditës

















NATA VARFANJAKE





Me mashtrapën e parë

Dehen sallat e tymosura

Në hënë lakuriqët

I varin krahët e brymosura



Kafeja e hidhur

Dridhet në buzë

Shiko pash Zotin

Ajo ra në zuzë



Violina e vjetër

Nga dhembja gjëmon

Pranë Mona Lizës

Një qen hunguron



Nuk jetohet kështu

N'këtë jetë pa nafakë

E shpall të pavlefshme

Natën varfanjake

SHUMË STINË





Ja kjo kacafytje

Me tiktakun e orës

Për kë po vajtojnë

Gratë e mëhallës



Dikush ia mbathi

Lumit teposhtë

Nata në hënë

Po nusërohet



Pranë këmbanës së kishës

Doruntina

Nuk e njeh Kostandinin

Heshtje varri

Në kryqin e thyer



Kanë kaluar vite

Është fshirë

Shumë pluhur

Dhe janë derdhur

Edhe më shumë stinë

Në detin e tërbuar

Të mendjes



Kush po vajton atje

Sërish loti

Gufon si lulja



















































E nusja e besës

Pret e bezdisur

Dhëndërin kryeneç

Që kurrë

S'do të përmirësohet



PËR ÇUDI





Me byzylyk në hundë

E vath në kërthizë

Lahesh në djersën e kriposur

Të ditës memece



Bredh rrugëve

Si ajo

Nuk dua t'ja them emrin



Sillesh kah lagjja e Kajtazit

Fëmijët i ruajnë

Konzervat e mëhallës

Për dasmën e saj

Por që dallohet

Nga soji i yt

Nuk i adhuron bizhuteritë

As vithet nuk i ka

Me tatuazh

Për çudi

I mban mirë leshrat

S'duken

Si karikaturë e shëmtuar



Ajo ecën me dinjitet

Nuk përkulet

As kur e kafshon uria







DY PIKA LOTI





Mos e lërë peng

Fjalën në udhëkryq

Zogjtë kurrë nuk fluturojnë

Pa e zgjuar agimin



Mesnata i ka disa doke

Në syrin tekanjoz

S 'notojnë peshqit



Dhembja është

Aq e madhe

Sa që nuk kam fjalë

Për shërimin e saj



Ju mendoni se era

I shkul lulet

Kur mesdita vdes

Pa i larë sytë

Me ujë të vakët



Vozaxhiu kur mbeti

Pa fjalë

E gjeti fundin e tinarit

Në tehun e cakorres



















































Një gurëgdhendës

I latoi tregimet e veta

Në fund të shkallarëve

Nga sytë e lehonës

Pikuan dy pika loti























NATA KAFSHON





Mendoja se rreshte dëborë

Fija e barit

Rebelohej atë ditë

Unë të pritja

Si mbreti kurorën

Dhe ende jam

Duke të pritë



Në sytë e të verbërit

Kallet eshka

Unuri me strallin

Dalin në bejleg

Në degët e thata

Po piqet pjeshka

Nata kafshon

Të vetmën shegë









ETJA





Ai zbriste në lashtësi

Miqësohej

Me tingujt e lahutës

Dhe në thellësinë e tokës

Takohej

Me zërin e humbur

Të atdheut



Në dashurinë e rapsodit

Fshiheshin këngët e vjetra

Kur hulumtonte nëpër lumenj

Prejardhjen e allgave



Klithjet takohen

Me hijet në kalim

Zanat xhelozojnë

Deri në çmendi

Dukjen e Mujit



Vesa pi ujë

Në gjoksin e gjetheve

Shuhen etjet

E buzëve të thara







UDHËTIMI I URNËS SIME





Nuk di më

Nga kam ardhur

Kush jam

Dhe ku do të shkoj



Koha është

Për të hyrë dhe dal

Nga ky qorrsokak



Urnën time

Po ju lë amanet

Ta derdhni

Në ujërat e Lumbardhit



Nuk dua të jem

Farëhumbur

Në këtë hapësirë

Pispillosen djajtë



Në brigjet e Jonit

Blegërijnë delet

Kavalli i bariut

Përmallshëm ligjëron

Një këngë çame













































Hiri udhëton e udhëton

Me urnën time

Nëpër Shqiptari

E shkon deri atje

Për ta takuar

Lulëzimin e ullirit

Dhe lindjen e djellit

Edhe në Çamëri

EDHE NË DIMËR





Të lutem

Leri grindjet sonte

Në raftin e vjetër



Mos e vrit dashurinë

Në këtë mënyrë

Shiko pëllumbat

Si puthen në shi



Nëse do

Zgjati duart

Kah agu i ylberit

Atje pranverat

Kurrë nuk ndryshojnë



Shirat sivjet

Do të vonohen pakëz

Pastaj

Edhe nëse vijnë

Me kohë

Ato nuk i shlyejnë

Dhembjet e drurit e të gurit



Ti pusho

Nën çatinë e dashurisë

Dhe eja nëse do

Me freskinë e natës























Ti numërojmë kujtimet

Tona



Të mirat dhe të këqijat

Kanë qenë me ne

Kurse ne ishim të çmendur

Pas imtësirave

Që e përbënin jetën tonë



Eja

T'i qesim në kandar

Fjalët që i folëm dikur

Dhe ta kërkojmë vetveten

Mes kujtimeve tona

Të vogla e të mëdha

Eja

Se dashuria

I përqafon lulet

Kur çelin edhe në dimer





EJANI NË TAVOLINËN TIME





Ju që dashuroni

Ejani sonte në tavolinën time

Këtu rritet lulja

Kur tingujt e violinës

Udhëtojnë nëpër natë



Një këngë

Ndoshta tallava

I fryen buzët në pentagram

Notat zbresin

Te këmbët e tavolinës

Kurse nata e vetmuar

Kotet nën çati



Nëse dashuroni

Shikoni në sytë e fqiut

Se si pëllumbat vdesin

Vetëm për një fjalë



Miqtë e mi

Uluni me mua sonte

Ti vajtojmë zogjtë

Dhe njerëzit në kalim

Ejani në tavolinën time

Të mos mbetem i vetmuar











EC MË TUTJE



Mos ik nga unë

Si djalli prej temjanit

S'e kam kafshuar

Hudhrën në rrënjë



Nëse je penduar

Pse i thirre stinët

Otkosi i fundit

Nuk e ka më

Erën e luleve



Kalo përtej urës

Atje i gjenë

Thërrmijëzat e së kaluarës

Që nuk dijte t’i çmosh

Pastaj mos guxo

Të marrësh erë

Se thahen gjethet



Ec më tutje

Buzë udhës do t’i gjesh

Kujtimet e vrara

Me vrazhdësin tënde













S'KA NDARJE PA LAMTUMIRË





Nëse nuk më beson

Pse të flas kot me ty

Loti më s'banon këtu

As kripa në sy



Më janë bitisur fjalët

Mallëngjimi troket në derë

Ti ikën udhës tënde

Unë mbetem në shtrojerë



I more të gjitha me vete

Si marimanga i thurre kujtimet

E mua mi lë telashet

Më lodhën mejtimet



S'ka ndarje pa lamtumirë

Fillimi kështu s'përfundon

Edhe zogut i plagosen krahët

Kur në çerdhen tjetër

Pa dashje fluturon















































































SHËNIME PËR AUTORIN



Adem Zaplluzha lindi në Prizren me 1943. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, ndërsa Akademinë Pedagogjike në Prishtinë.

Një kohë punoi si mësues nëpër fshatra: Studenqan të Therandës (ish Suharekës) dhe Hoça e qytetit afër Prizrenit. Ndërkohë punësohet si përkthyes në Korporatën Enregjetike të Kosovës. Me shkrime filloi të merret kryesisht me poezi që nga mosha fëmijërore. Rrugën letrare e nisi me vjershën e parë për fëmijë të cilën e botoi në revisten: “PIONERI”, me 1957.

Si i punësuar në Korporaten Energjetike të Kosovës bashkë me shokët e punës dhe pendës formoi grupin letrar: “Lulëkuqet e Kosovës”. Në Kuadër të punës së këtij grupi letrar qe botuar përmbledhja: “Ngjyra e kohës”, në të cilën u botua një numër i poezive të tij. Veç krijimeve që i publikoi në revistat për fëmijë botoi edhe nëpër gazetat e kohës që dilnin në Prishtinë dhe Shkup. Është anëtar i Lidhjes së shkrimtarëve të Kosovës.

Veprimtaria letrare u pasurua me shumë tituj që deri më tani ka të botuar këto libra:



“Puthjet”- poezi, “Rilindja”, Prishtinë, 1974

“Ecjet e viteve të mëdha”, poezi, “Jeta e Re”, Prishtinë 1995.

“Çamaroket e thepores”, poezi për fëmijë, “Shkëndija”, Prishtinë 1996.

“Muret”, poezi, “Jeta e Re”, Prishtinë, 1997

“Morfologjia e dhembjes”, poezi, “Faik Konica”, Prishtinë 2000.

“Ai vjen nesër”, poezi, “Qendra e Kulturës”, Klubi letrar “Fahri Fazliu, Kastriot, 2007

“Lëtër nga Mërgimi”, poezi, “Qendra e Kulturës”, Klubi letrar “Fahri Fazliu, Kastriot, 2007

“Lëtër nga Mërgimi 2”, poezi, “Qendra e Kulturës”, Klubi letrar “Fahri Fazliu, Kastriot, 2007





Ky është libri i nëntë i tij. Jeton në Prishtinë ndërsa aktivitetin letrar e zhvillon në Klubin letrar: “Fahri Fazliu” në Kastriot.



Katalogimi në botim – (CIP)

Bibloteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës



821.18-93-1



Zaplluzha, Adem

Udhëndarja: poezi / Adem Zaplluzha.-

Kastiot: Klubi letrar “Fahri Fazliu”, 2008. – 98

f. ; 21cm



ISBN 978-9951-538-00-8








ADEM ZAPLLUZHA

UDHËNDARJA


Tirazhi:
1000 copë




REALIZIMI KOMPJUTERIK
"OBSCURE"


U SHTYP NË SHTYPESHKRONJEN
"TREND" Prishtinë 2008
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Adem Zplluzha:Udhëndarja-Libër me poezi Empty Re: Adem Zplluzha:Udhëndarja-Libër me poezi

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi